Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë Marshin për Liri, i cili do të zhvillohet nën moton “KOSOVA PO PRET”.
Të lidhura
None found
Marshi do të mbahet katër ditë përpara shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara në Hagë për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një konference për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, prezantuan aktivitetet që do të zhvillohen para dhe pas marshimit.
Eliza Hoxha deklaroi se prej 6 vitesh “Liria ka Emër”, së bashku me qytetarët, ka kërkuar zhvillimin e një gjykimi të drejtë. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe aktakuzat e Prokurorisë janë treguar të paqëndrueshme dhe janë rrëzuar njëra pas tjetrës. Ajo tha se 16 shtatori duhet të shënojë fundin e kësaj sage të errët, ndërsa platforma do të vijojë të qëndrojë pranë të akuzuarve, pa paragjykuar vendimin e drejtësisë apo ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke përcjellë zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë së Kosovës.
Hoxha njoftoi se nga nesër do të nisin dy veprimtari: numërimi mbrapsht deri më 16 shtator dhe “Netët e Lirisë”. Numërimi do të fillojë në orën 10:00 në Prishtinë dhe do të vijojë deri më 16 shtator, në orën 10:00, kur pritet të mbahet seanca e fundit e përmbylljes së procesit në Hagë. Ky aktivitet do të shtrihet në të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas saj, çdo orë e kaluar do të rikujtojë se Kosova po pret drejtësi, dinjitet dhe kthimin e çlirimtarëve në shtëpi. Ndërkohë, “Netët e Lirisë” do të organizohen në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do t’u kushtohen kujtesës, rrëfimit dhe bashkimit të brezave rreth rrugës së vështirë dhe sakrificave për liri.
Ismail Tasholli u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të spektrit politik të Republikës së Kosovës që t’i bashkohen Marshit për Liri. Ai ftoi partitë politike shqiptare dhe liderët e 4 partive më të mëdha në vend, z. Kurti, z. Hamza, z. Abdixhiku dhe z. Gjini, që të marrin pjesë dhe të mbajnë adresimin e tyre publik gjatë marshimit.
Tasholli theksoi se ftesa u drejtohet të gjithëve pa përjashtim, jo për fushatë elektorale apo për të shfaqur flamuj partiakë, por në emër të Kosovës, lirisë dhe së ardhmes.
Platforma “Liria ka Emër” do të zhvillojë gjithashtu një aktivitet në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare, më 16 shtator. Tasholli tha se në ditën kur vëmendja do të përqendrohet në Hagë, mesazhi nga Kosova deri atje do të jetë i njëjtë: “KOSOVA PO PRET”. Ai shtoi se numërimi mbrapsht do të nisë nga nesër në sheshin e Prishtinës, ndërsa pas 16 shtatorit Kosova nuk do të jetë më e njëjtë.
