Gjini: Rikthimi i Ligjit për Specialen nuk i dha Kosovës asnjë avantazh taktik, strategjik apo juridik

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë të ditur se subjekti i tij politik ka qenë kundër rikthimit të Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend për rishqyrtim, duke theksuar se ky veprim nuk i ka ofruar Kosovës ndonjë dobi as në aspektin taktik, as në atë strategjik apo ligjor.

Ai apeloi që debati publik të mos fiksohet vetëm te kjo temë, por të shtrihet edhe në çështjet e tjera që po rëndojnë përditë mbi qytetarët dhe po dëmtojnë funksionimin e shtetit.

Të lidhura

None found

Gjini: Kosova s’ka fituar asgjë nga kthimi i Ligjit për Specialen

“E kuptoj që publiku ka interes për ligjin, por aleanca nuk ka qenë dakord me kthimin e tij në Kuvend. Ne nuk besojmë se Kosova ka përfituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as ligjërisht. Qëndrimet e tjera do t’i bëjmë publike më vonë. Megjithatë, ju lutem, nuk duhet të harrojmë të gjitha temat që çdo ditë po ia vështirësojnë jetën qytetarit dhe po e degradojnë tërësisht shtetin e Kosovës. Po e dëmtojnë thellësisht shtetin tonë, vetëm sepse dikush ka marrë një temë tjetër dhe po i harron çështjet thelbësore. Ligji është tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj, por unë mendoj se vendi ynë nuk guxon ta heqë vëmendjen nga temat e tjera. Për sa kohë që të gjithë ne merremi vetëm me një çështje — për të cilën ata në një farë mënyre kanë 7-8 vjet që kanë ngritur duart lart dhe nuk janë marrë fare — ata ndihen shumë rehat sepse kanë maskuar tërë sistemin korruptiv dhe kleptokratik në Kosovë me një temë tjetër. Duhet të merremi edhe me çështje të tjera. Nuk mund të harrojmë se çfarë do të ndodhë në Kosovë, sepse edhe këto janë të lidhura me ne. Nuk mund të kemi as diplomaci si duhet nëse shpenzojmë 260 milionë euro në vit për të blerë energji elektrike. Kurse një ambasadë e jona në Uashington nuk ka fonde të mjaftueshme as t’i paguajë dikujt një kafe”, u shpreh Gjini.

Në vijim, kreu i AAK-së ngriti akuza ndaj Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se ajo e ka sabotuar qëllimisht tenderin për riparimin e bojlerit të Bllokut B2 në termocentralin “Kosova B”.

Sipas Gjinit, procedura e prokurimit është përmbyllur pa shpallur fitues dhe riparimi i paraparë nuk është kryer.

Ai paralajmëroi se kjo gjendje mund të sjellë ndërprerje të reja në prodhimin e energjisë elektrike, pasi blloku mund të duhet të tërhiqet nga sistemi për ndërhyrje riparuese.

“E dini që Kurti doli në Kuvendin e Kosovës rreth 3 vjet më parë dhe u mbajti leksion deputetëve e qytetarëve për bojlerët dhe filtrat. E tani po ju tregoj diçka. Ata e kanë dështuar me dashje tenderin për riparimin e bojlerit, i cili ishte planifikuar të riparohej deri në fund të këtij viti. E kanë hapur tenderin dhe e kanë mbyllur pa fitues, për të zbuluar çmimet e ofertave — që është aferë e rëndë korruptive. Kanë marrë ankesa dhe ai bojleri i Kurtit mbetet i pariparuar”, deklaroi Gjini.

Ai njoftoi se AAK-ja do të kërkojë interpelancë parlamentare lidhur me këtë çështje.

Gjini zbulon temën për të cilën AAK do të kërkojë interpelancë nga qeveria

“Çfarë ndodh tani? Sërish duhet ose në dhjetor, ose në janar, ose në shkurt të nxjerrim nga sistemi bllokun më të madh që kemi në prodhim, për të riparuar atë bojler për të cilin ka folur personi që drejton mashtrimin më të madh në historinë e Kosovës. Aleanca do të kërkojë interpelancë nga Qeveria e Kosovës për këtë temë”, tha ai.

Gjatë së njëjtës konferencë, Gjini komentoi edhe rastin e një pacienteje me kancer, e cila sipas mediave ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së terapisë.

Ai theksoi se përgjegjësia për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore bie tërësisht mbi Qeverinë e Kosovës.

Gjini: Qeveria mban përgjegjësi për mungesën e barnave

“Nëse mungojnë barnat në klinikat tona, fajin e ka vetëm Qeveria e Kosovës. Po e ndjekim zinxhirin: në këtë zinxhir mund të jetë një shef reparti, një prej drejtorëve që udhëheq sistemin, një sekretar permanent, një ministri, kryeministri, zyra e prokurimit — kushdo. Por këto institucione formojnë një piramidë që arrin deri te kreu i qeverisë”, u shpreh Gjini.

Kreu i AAK-së kërkoi gjithashtu llogari për mënyrën se si po shpenzohen fondet buxhetore të dedikuara për shëndetësinë.

“Ku po shkojnë të gjitha ato para që janë shtuar në buxhetin e shëndetësisë? Ku po shkojnë dhe kush po i vjedh?”, pyeti ai.


Shtuar më 24.10.2026 13:27