Manchester United pritet të zhvillojë sot një tjetër raund negociatash me Brightonin, pasi klubi anglez po shton përpjekjet për të siguruar shërbimet e mesfushorit kamerunas Carlos Baleba, raporton eksperti i transferimeve Fabrizio Romano.
Të lidhura
None found
Te “Djajtë e Kuq” është forcuar bindja, që prej ditës së djeshme, se transferimi i 21-vjeçarit mund të realizohet.
Oferta e parë zyrtare e Unitedit kap vlerën e mbi 70 milionë eurove, ndërsa parashikon edhe 6 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Megjithatë, Brighton nuk e ka pranuar këtë propozim.
Për këtë arsye, klubi nga Manchesteri po përgatit një ofertë të re, në një kohë kur bisedimet mes palëve kanë hyrë në fazën e fundit.
Baleba kishte gjetur gjuhën e përbashkët me Manchester United rreth një vit më parë, por Brighton nuk e autorizoi largimin e tij atëherë.
Pavarësisht kësaj, marrëveshja personale e arritur mes lojtarit dhe klubit anglez mbetet ende e vlefshme.
Mesfushori e ka të qartë se dëshiron të luajë në “Old Trafford”, një faktor që i ka rritur ndjeshëm shpresat e Unitedit për ta mbyllur me sukses transferimin këtë herë.
Nëse arrihet dakordësia për tarifën e transferimit, Baleba pritet të jetë një nga afrimet më të rëndësishme të Manchester United gjatë këtij afati kalimtar.
