Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vijuar sot, 20 gusht, aksionin e tyre protestues para Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë pakënaqësie për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Në aksionin e sotëm janë përfshirë edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Të lidhura
None found
Prej disa ditësh, PDK-ja po zhvillon protesta para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që të caktohet vazhdimi i seancës konstituive dhe të zhbllokohet procesi i formimit të institucioneve të reja.
PDK i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të caktojë vazhdimin e saj. PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se kanë bllokuar institucionet.
Edhe Aleanca ka shprehur kundërshtimin ndaj zvarritjes së procesit të konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që institucionet të kthehen sa më shpejt në funksionalitet të plotë.
