Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare zhvillohet sot në Taranto të Italisë. Ky takim ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, e cila është duke u përgatitur për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Të lidhura
None found
Kosova do të marrë pjesë në mënyrë aktive në diskutimet për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare gjatë kësaj asambleje, ku pritet të zgjidhet presidenti i ri për mandatin e ardhshëm. Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, pritet të paraqesë një raport mbi punën dhe përgatitjet për organizimin e “Prishtina 2030”.
Prezantimi i Gashanit para drejtuesve të ICMG-së dhe përfaqësuesve të komiteteve olimpike zhvillohet në një periudhë me rëndësi për Kosovën. Përmes organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive ndërkombëtare, vendi synon të tregojë aftësitë e tij për ta mirëpritur atë.
Takimi i sotëm i krijon Kosovës edhe mundësinë që t’i njohë drejtuesit e rinj të ICMG-së me përparimin e arritur deri tani, si dhe me masat që parashikohet të ndërmerren gjatë viteve të ardhshme për përgatitjen e Prishtinës për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
