Jurgen Uldedaj shtyn për vitin 2026 ndeshjen e rëndësishme për titullin botëror

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka njoftuar se përballja me Blake Caparello, e planifikuar për 23 tetor në Tiranë, nuk do të zhvillohet në datën e parashikuar. Ndeshja për titullin “IBO World Cruiserweight Champion” është shtyrë për një datë të re brenda vitit 2026, për shkak të një dëmtimi të lehtë dhe situatës së tensionuar në kryeqytet, ku po zhvillohen protesta masive.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Uldedaj tha se vendimi u koordinua me IBO-në dhe u mor me mirëkuptimin e tij dhe të kundërshtarit, Blake Caparello. Boksieri theksoi se dëmtimi ndodhi gjatë sparring-ut.

Të lidhura

None found

Uldedaj u shpreh se nuk do të ishte e drejtë të festonte në ring, ndërkohë që bashkëkombësit e tij protestojnë për të drejtat e tyre dhe vendi po kalon një periudhë të vështirë. Ai nënvizoi se Shqipëria ka përparësi ndaj titujve dhe arritjeve personale.

Ai tha gjithashtu se respekton të drejtën e qytetarëve për të shprehur zërin dhe vlerësoi Policinë e Shtetit për përpjekjet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

“Ëndrra ime për ta mbrojtur titullin në atdhe vazhdon. Do të kthehem në ring për të ngritur lart flamurin kuqezi, kur të gjithë të mund ta përjetojmë këtë ngjarje me krenari”, shkroi boksieri, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe respekt.

Uldedaj kishte deklaruar më herët se dueli kundër Blake Caparello do të ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij. Tashmë, për këtë përballje do t’i duhet të presë një mundësi tjetër.


Shtuar më 20.10.2026 18:52