Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që punimet e Kuvendit të Kosovës të vijojnë sot në orën 11:00, me qëllim zhbllokimin e procesit të konstituimit të legjislativit.
Të lidhura
None found
Kërkesa është përcjellë nga sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një shkrese drejtuar Deharit.
Në dokument, partia kërkon që seanca të vazhdojë në bazë të nenit 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas PDK-së, zvarritja e konstituimit të Kuvendit ka sjellë një situatë të rëndë lidhur me respektimin e Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
Opozitarja PDK thekson se tejkalimi i afateve procedurale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit e përkeqëson më tej gjendjen.
“Mosrespektimi i afateve procedurale të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, thuhet në shkresë.
Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, PDK-ja nënvizon se kalimi i afatit kushtetues nuk e heq detyrimin për konstituimin e Kuvendit.
“Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, theksohet në kërkesën e partisë.
