Një aksident tragjik ajror në Kenia u mori jetën pesë shtetasve amerikanë dhe drejtorit të përgjithshëm të agjencisë së inteligjencës së Ekuadorit të mërkurën.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kenias bëri të ditur se helikopteri me shtatë persona në bord u rrëzua mëngjesin e së mërkurës në malin Ololokwe, në zonën qendrore të vendit.
Të lidhura
None found
Media shtetërore e Ekuadorit raportoi se mes personave që humbën jetën ishin drejtori i përgjithshëm i agjencisë ekuadoriane të inteligjencës, Michele Sensi-Contugi, dhe bashkëshortja e tij.
Sipas televizionit Telemundo, aksidenti i mori jetën edhe drejtuesit të tij ekzekutiv, José Suárez.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Zyra e Presidentit të Ekuadorit i përcolli ngushëllime familjes së Sensi-Contugi.
Vdekja e pesë amerikanëve u konfirmua ndërkohë nga një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. Ai deklaroi se Ambasada e SHBA-së po bashkëpunon me autoritetet keniane dhe po jep ndihmë konsullore.
“Ne u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve dhe të dashurve për humbjen e tyre”, u shpreh zëdhënësi.
Kryqi i Kuq i Kenias njoftoi se puna për kërkim-shpëtimin dhe nxjerrjen e viktimave po vazhdon. Operacionet po pengohen nga terreni i thyer dhe nga një zjarr që mbetet aktiv në vendin e rrëzimit të helikopterit.
Për të mbështetur operacionin e kërkim-shpëtimit, nga Isiolo është nisur një ekip tjetër. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në aksident.
