Francis Clifford Smith, i konsideruar i burgosuri më i vjetër në Shtetet e Bashkuara, vdiq më 25 qershor 2026, në moshën 101-vjeçare. Ai i kaloi rreth 70 vjet pas hekurave, pasi ekzekutimi i tij ishte shtyrë tetë herë.
Të lidhura
None found
Problemet e tij me drejtësinë kishin nisur që kur ishte 13 vjeç. Në vitin 1950, kur ishte 25 vjeç, Smith u dënua për vrasjen e një roje nate. Ai ishte arrestuar së bashku me një person tjetër, i cili dëshmoi kundër tij dhe për këtë arsye përfitoi një dënim më të lehtë.
Smith e mohoi gjithmonë përfshirjen në vrasje. Dyshimet u shtuan pasi dëshmitarët hoqën dorë nga deklaratat e tyre të para, ndërsa një tjetër person pranoi se kishte vrarë rojën e natës. Për këtë arsye, mbetet e mundur që Smith të mos ketë qenë fare në vendngjarje në momentin e krimit.
Dënimi me vdekje u shty vazhdimisht dhe, në vitin 1954, ai u zëvendësua me burgim të përjetshëm.
Pavarësisht këtyre rrethanave, Smith qëndroi në burg për afro shtatë dekada, duke u bërë personi që kishte kaluar më shumë vite në burg në historinë e Shteteve të Bashkuara, raportoi BBC.
Gjatë kësaj kohe, ai u lirua për periudha të shkurtra në tri raste. Në vitin 1967, u arratis dhe qëndroi i lirë për 12 ditë, përpara se të kapej sërish. Në vitin 1974, kaloi natën e Krishtlindjeve në shtëpi, por u kthye në burg po atë ditë. Një vit më vonë, në 1975-n, u lirua me kusht, mirëpo pas 10 muajsh u arrestua përsëri për posedim arme.
Gjatë qëndrimit në burgun Osborne, në Connecticut, Smith merrej edhe me ushqimin e zogjve.
“Ai fshihte sa më shumë bukë që mundte në rrobat e tij dhe të gjithë bënin sikur nuk e shihnin, sepse e dinin se buka ishte për zogjtë”, treguan persona që e njihnin.
Smith refuzoi për shumë vite mundësitë për lirim me kusht. Vetëm në vitin 2020, kur ishte 95 vjeç, ai u lirua dhe u vendos nën mbikëqyrje në një azil pleqsh.
Rritja e numrit të të burgosurve të moshuar nuk është një dukuri që kufizohet vetëm te SHBA-ja. Megjithatë, në këtë vend problemi është më i theksuar për shkak të numrit proporcionalisht të lartë të personave në burgje.
Sipas studimeve, nga viti 1991 deri në vitin 2021, numri i të burgosurve mbi 55 vjeç u pesëfishua. Parashikohet gjithashtu që deri në vitin 2030, një në tre të burgosur të jetë mbi 50 vjeç.
Ekspertët propozojnë që personat e moshuar ose ata me probleme të rënda shëndetësore, të cilët nuk janë më në gjendje të përballojnë kushtet e vështira të burgut, të lirohen për arsye shëndetësore apo për shkak të moshës. Megjithatë, numri i strukturave që pranojnë ish-të burgosur të moshuar mbetet i kufizuar.
