Gjatë stinës së verës, kandilët e detit vazhdojnë të jenë një prej shqetësimeve kryesore për pushuesit.
Të lidhura
None found
Rritja e vazhdueshme e temperaturave të ujërave detare po favorizon shumimin masiv të këtyre gjallesave, të cilat renditen mes organizmave shumëqelizorë më të hershëm të planetit.
Sipas alarmit të ngritur nga mediat italiane, në Mesdhe janë evidentuar edhe specie të huaja që mund të paraqesin rrezik, përfshirë karavelën portugeze. Në të vërtetë, ajo përbëhet nga koloni organizmash të vegjël që bashkëjetojnë dhe ka tentakula jashtëzakonisht të gjata e me djegie të fortë.
Në Siçili, gjatë vitit 2022, kontakti me një prej këtyre meduzave bëri që një grua të dërgohej me urgjencë në spital. Ndërkohë, në vitin 2010, një grua 69-vjeçare humbi jetën në Sardenjë.
Me origjinë nga Oqeani Atlantik, karavela portugeze është hasur në mënyrë sporadike në Mesdhe prej dekadash. Këtë vit, në brigjet spanjolle janë sinjalizuar aq shumë ekzemplarë, saqë disa plazhe u detyruan të mbylleshin përkohësisht. Në 20 vitet e fundit, popullata e meduzave në rajonin e Mesdheut është rritur pothuajse dhjetëfish.
Biologët detarë shpjegojnë se rrymat e detit i bartin meduzat, të cilat kanë tendencë të mblidhen në grupe të mëdha, sidomos në sezonin e riprodhimit. Për këtë arsye, në disa pjesë krijohet përshtypja se ujërat janë pushtuar prej tyre, ndërsa në zona të tjera ato thuajse mungojnë plotësisht.
