Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po zvarrit formimin e institucioneve. Sipas saj, pas tri palë zgjedhjesh, Kosova mund të përballet sërish me një proces të ri zgjedhor.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka ironizuar arsyetimet e pushtetit për moskonstituimin e Kuvendit.
“Nga “s’bën qerrja para kalit”, deri te “nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje politike, sepse nëse e bëjmë vendi shkon në zgjedhje” – janë arsyetimet më banale që, nga dhjetori i vitit 2024, po e lënë Kosovën pa institucione legjitime”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo e ka cilësuar kontradiktor pretendimin se pengimi i konstituimit të Kuvendit synon shmangien e zgjedhjeve.
“Nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi sërish shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka shkruar deputetja.
Në vijim të reagimit të saj, Bajrami e ka pyetur Kurtin për arsyen se përse po e drejton vazhdimisht vendin drejt zgjedhjeve të reja.
