Rizvanolli dhe Schuebel në “Kosova B”: Vëmendja te punimet për elektrofiltrat

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, dhe Dirk Schuebel, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, vizituan sot Termocentralin “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës. Ata u njohën nga afër me ecurinë e punimeve për elektrofiltrat dhe sistemin DeNOx, i cili synon reduktimin e oksideve të azotit.

Investimi, me vlerë afro 84 milionë euro dhe i financuar nga BE-ja, po zbatohet nga një konsorcium evropian në njësitë B1 dhe B2. Punimet në B1 nisën në prill 2026 dhe parashikohet të përfundojnë në nëntor të këtij viti. Ndërhyrjet në B2 pritet të fillojnë në prill 2027.

Të lidhura

None found

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga kontraktori dhe BE-ja, si autoritet kontraktues, që të angazhohen maksimalisht për respektimin e afatit të paraparë. Sipas njoftimit, kthimi në operim i njësisë B1 në kohë është veçanërisht i rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me energji gjatë dimrit, kur konsumi rritet.

Rizvanolli nënvizoi se zbatimi duhet të përcillet vazhdimisht dhe çdo pengesë që rrezikon afatet duhet trajtuar pa vonesë.

Projekti synon që përqendrimi i pluhurit në gazrat dalëse të zbresë në 20 mg/Nm³, ndërsa ai i oksideve të azotit në 200 mg/Nm³. Këto objektiva përfaqësojnë reduktim deri në 18 herë të pluhurit, nga 350mg/20mg, dhe rreth tri herë të oksideve të azotit, nga 540mg/200mg, duke përmirësuar ndjeshëm performancën mjedisore të termocentralit, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve të zhvilluara këtë javë, ministrja dhe ambasadori biseduan edhe për reformat e Planit të Rritjes së BE-së. Në mesin e temave ishte Projektligji për Rregullatorin e Energjisë, i cili është në konsultim publik deri më 5 nëntor dhe për të cilin palët e interesuara ftohen të dërgojnë komentet e tyre. Miratimi i tij është i lidhur me plotësimin e një kushti të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 6,26 milionë euro.

Palët vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin e deritanishëm, përfshirë Pakon e Mbështetjes për Energjinë prej 75 milionë eurosh, e cila përfundoi më 16 tetor. Nga kjo pako kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë.

Rizvanolli dhe Schuebel riafirmuan gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në investime dhe reforma që forcojnë sigurinë energjetike, përmirësojnë shërbimet për qytetarët dhe ndihmojnë modernizimin e sektorit.


Shtuar më 21.10.2026 17:46