Një raport i organizatës Public Citizen, i publikuar nga Associated Press, tregon se administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka numrin më të madh të zyrtarëve me pasuri të konsiderueshme në historinë moderne të qeverisjes së Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave, 57 pjesëtarë të administratës zotërojnë pasuri prej të paktën 100 milionë dollarësh. Ky numër është më shumë se katër herë më i lartë se totali i zyrtarëve me pasuri të ngjashme në administratat e tre presidentëve të mëparshëm, të marra së bashku.
Në këtë grup bëjnë pjesë 17 ambasadorë dhe 40 zyrtarë të rangut të lartë.

Pesha e milionerëve dhe miliarderëve vihet re edhe në kabinetin presidencial, ku tetë nga 23 anëtarët e kabinetit të Trump klasifikohen në kategorinë e personave me pasuri prej të paktën 100 milionë dollarësh.

Ndër emrat e përfshirë janë Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe Sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, të cilët janë miliarderë. Në listë ndodhen edhe Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, Stephen Feinberg, si dhe Administratorja e Administratës së Bizneseve të Vogla, Kelly Loeffler, po ashtu miliarderë.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, dhe i Dërguari Special i SHBA-së, Steve Witkoff, vlerësohet se kanë pasuri në qindra miliona dollarë.

Krahasuar me qeveritë e mëparshme, diferenca është e theksuar. Administratat e republikanit George W. Bush dhe demokratit Joe Biden kishin nga pesë anëtarë me pasuri neto prej të paktën 100 milionë dollarësh, ndërsa administrata e Barack Obamës kishte tre.

Trump, i cili është vetë miliarder, e ka mbrojtur përzgjedhjen e personave jashtëzakonisht të pasur për funksione të rëndësishme, duke argumentuar se pasuria mund të dëshmojë suksesin financiar dhe aftësinë menaxheriale.
Megjithatë, kjo përbërje e pasur e administratës së tij vjen në një periudhë kur presidenti amerikan po përballet me kritika në rritje nga elektorati për mënyrën e administrimit të ekonomisë së vendit.
