Driton Sulejmani, zëdhënës i partisë VLEN, e akuzoi BDI-në opozitare se po pengon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Ai u shpreh i habitur që BDI-ja nuk po e mbështet këtë zgjidhje ligjore, të cilën e cilësoi si një ndër elementet thelbësore për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Të lidhura
None found
Sipas Sulejmanit, gjatë dy dekadave në pushtet, BDI-ja e kishte mundësinë ta zgjidhte këtë çështje, por nuk e bëri. Ai pretendoi se kjo parti tani po e bllokon procesin, pikërisht në kohën kur po synohet krijimi i një kornize të re ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Zëdhënësi i VLEN-it deklaroi se ligji në fjalë e avancon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke e ngritur atë nga niveli i një mekanizmi në një kategori ligjore. Sipas tij, sjellja e BDI-së nuk është e hijshme dhe bie ndesh me interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Sulejmani tha se bllokimi i këtij ligji është i njëjtë me pengimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve apo të decentralizimit, pasi të gjitha këto çështje përbëjnë pjesë esenciale të Marrëveshjes së Ohrit.
Ai shprehu shpresën se BDI-ja, më në fund, do të vetëdijësohet dhe do ta rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Sulejmani iu referua gjithashtu miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2018. Ai kujtoi se, ndonëse atëherë ishin në opozitë dhe vlerësonin se ligji nuk përbënte zgjidhjen ideale e as nuk e rregullonte plotësisht çështjen e gjuhës shqipe, megjithatë e kishin mbështetur. Sipas tij, përkrahja ishte dhënë pavarësisht kritikave, me synimin që të shënohej një hap përpara drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje.
