Barcelona e konsideron të domosdoshëm përforcimin e repartit ofensiv gjatë kësaj vere, ndaj i ka caktuar vetes një afat për të zgjidhur transferimin e Julian Alvarez nga Atletico Madridi. Nëse marrëveshja nuk realizohet, klubi katalunas do ta zhvendosë vëmendjen te alternativa të tjera.
Gazeta Mundo Deportivo raporton se Blaugranët presin një zhvillim përfundimtar në ndjekjen e sulmuesit të Atleticos brenda dy ose tre ditëve të ardhshme. Në mungesë të një zgjidhjeje gjatë këtij afati, drejtuesit do të shqyrtojnë kandidatë të tjerë.
Të lidhura
None found
Gjigantët katalunas janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta afruar argjentinasin, por kjo varet nga një ndryshim i qëndrimit të Atleticos në ditët në vijim.
Klubi madrilen nuk ka shfaqur asnjë shenjë tërheqjeje gjatë gjithë verës. Trajneri Diego Simeone përsëriti së fundmi se bordi i Atleticos vazhdon t’i qëndrojë vendimit të tij: Alvarez nuk është në shitje.
Nga ana tjetër, 26-vjeçari pritet të takohet së shpejti me drejtorin ekzekutiv të klubit, Miguel Angel Gil Marin, për t’i komunikuar dëshirën e tij për të nënshkruar me Blaugranët.
Sipas raportit, Barcelona pret të ketë një panoramë më të qartë të situatës përpara ndeshjes së parë në La Liga kundër Elche, e cila zhvillohet këtë fundjavë.
