Trajneri brazilian Silvinjo, është ende në kërkim të një sistemimi të ri, pasi ndau rrugët me Kombëtaren shqiptare të futbollit në muajin maj.
Tekniku shpresonte që të merrte shumë oferta pas drejtimit të Shqipërisë në Euro 2024, e pastaj kualifikimit të saj në play-off të Botërorit 2026.
Të lidhura
None found
Emri i tij në fakt u përmend si kandidaturë për të marrë drejtimin e Algjerisë pas Botërorit, por ajo mundësi u hodh poshtë menjëherë pasi drejtuesit e Federatës afrikane, nuk u bindën nga ajo që ofronte tekniku.
Megjithatë, së fundmi emri i Silvinjos ka dalë në skenë përsëri, këtë radhë në vendlindjen e tij, Brazil. Ai shihet si një nga kandidaturat e forta për të marrë drejtimin e një prej klubeve më të njohura në vend, Fluminenses, e cila shkarkoi pak ditë më parë trajnerin.
Klubi me qendër në Rio De Zhaneiro, i cili fitoi Kupën Libertadores në vitin 2023, për momentin po drejtohet nga një trajner i përkohshëm, ndërsa po shqyrtohen alternativat mes të cilave përmendet edhe emri i Silvinjos. Ky i fundit ka drejtuar më parë në futbollin brazilian ekipin e Korinthians.
