Një dokument i një qeverie evropiane, të cilit i është referuar NBC News, zbulon ekzistencën e një rruge të re për transportin e pajisjeve ushtarake nga Rusia drejt Iranit, përmes Detit Kaspik.
Të lidhura
None found
Një zyrtar perëndimor ka konfirmuar përmbajtjen e dokumentit, sipas të cilit ngarkesat ruse për Teheranin përfshijnë eksplozivë, pjesë për dronë dhe municione. Këto materiale po përdoren në përpjekjet e Iranit për të zëvendësuar një pjesë të kapaciteteve ushtarake të humbura gjatë luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Mes materialeve të transportuara raportohet edhe trinitrotolueni (TNT), një lëndë shpërthyese që mund të përdoret, ndër të tjera, në prodhimin e kokave bërthamore.
Nuk dihet ende se në çfarë sasie po kryhen këto transferime dhe deri në çfarë niveli ka avancuar arsenali iranian. Agjencitë perëndimore të inteligjencës nuk kanë publikuar vlerësimet e tyre lidhur me këtë çështje.
Deti Kaspik, rruga që vështirëson mbikëqyrjen
Zgjedhja e Detit Kaspik si korridor transporti shihet si një element me rëndësi të veçantë. Ky det rrethohet vetëm nga Rusia, Irani, Kazakistani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani.
Sipas statusit ligjor të Kaspikut, forcat e armatosura të shteteve pa dalje në brigjet e tij nuk mund të operojnë në atë hapësirë. Për pasojë, anijet luftarake amerikane apo të vendeve të tjera perëndimore nuk mund të vendosen atje për të ndaluar ngarkesat që lëvizin mes porteve ruse dhe iraniane.
Monitorimi vështirësohet edhe më shumë pasi anijet mund të fikin transponderët e Sistemit Automatik të Identifikimit, të njohur si AIS. Në këtë mënyrë, gjurmimi i lëvizjeve të tyre bëhet më i ndërlikuar.
Rruga detare u mundëson Moskës dhe Teheranit të shmangin kalimet dhe pikat ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë kapacitete shumë më të mëdha vëzhgimi.
Sipas të dhënave të dokumentit, objektivi kryesor është rikthimi i programit iranian të dronëve, ndërsa komponentët e këtyre mjeteve përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ngarkesave.
Para nisjes së luftës, Irani kishte ndërtuar një prej programeve më të fuqishme të dronëve në rajon. Ky program ishte i përqendruar te modeli Shahed, të cilin Teherani ia kishte furnizuar gjithashtu Rusisë në sasi të mëdha për përdorim në luftën në Ukrainë.
Sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dëmtuan ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit. Për të rifilluar prodhimin e dronëve nevojiten si pjesët përkatëse, ashtu edhe eksplozivët që përdoren në kokat e tyre luftarake. Sipas dokumentit evropian, të dyja kategoritë përfshihen në dërgesat nga Rusia.
Marrëdhënia ushtarake mes dy vendeve po ndryshon
Ky zhvillim merr rëndësi edhe për faktin se ndryshon raportin e deritanishëm të furnizimeve ushtarake mes Moskës dhe Teheranit.
Për një periudhë të gjatë, pajisjet ushtarake kanë qarkulluar kryesisht nga Irani drejt Rusisë. Teherani i ka dërguar Moskës dronë dhe i ka ofruar mbështetje teknike për ngritjen e linjave të prodhimit në territorin rus, me synim forcimin e saj në frontin ukrainas.
Të dhënat e reja tregojnë se tashmë është Rusia ajo që po furnizon Iranin me materiale ushtarake.
Për Moskën, rritja e fuqisë së Teheranit ka edhe një dimension më të gjerë strategjik. Një Iran më i fortë ushtarakisht mund ta detyrojë SHBA-në të angazhojë më shumë trupa dhe burime në Lindjen e Mesme, duke kufizuar potencialisht vëmendjen dhe kapacitetet që Uashingtoni mund t’ia kushtojë Ukrainës.
Kjo rrugë furnizimi ishte vënë më herët në shënjestër nga Izraeli.
Times of Israel raportoi se sulmet ajrore izraelite të marsit 2026 goditën portin Bandar Anzali, i cili ndodhet në bregdetin verior iranian të Detit Kaspik.
Goditjet dëmtuan infrastrukturën portuale dhe anijet e Marinës Iraniane. Zyrtarët izraelitë deklaruan se synimi ishte ndërprerja e kësaj linje të veçantë të furnizimit.
Megjithatë, provat e përfshira në dokumentin evropian dhe të cituara tashmë nga NBC News tregojnë se transportet mund të kenë vazhduar ose të jenë rikthyer pas sulmeve izraelite.
Sulmi ndaj Bandar Anzali duket se ka sjellë një ndërprerje të përkohshme ose një devijim të itinerarit, dhe jo eliminimin e përhershëm të kësaj linje.
Struktura gjeografike e Kaspikut e bën edhe më të vështirë bllokimin e dërgesave. Pesë shtetet që kanë dalje në brigjet e tij disponojnë një numër portesh, duke krijuar alternativa të shumta transporti dhe duke e bërë më të vështirë goditjen e rrjetit përmes sulmeve ndaj vetëm një infrastrukture.
Moska dhe Teherani nuk kanë dhënë koment publik për dërgesat konkrete. Po ashtu, nuk është e qartë nëse volumi i materialeve të dërguara nga Rusia mjafton për të mbuluar humbjet e pësuara nga arsenali iranian si pasojë e sulmeve amerikane dhe izraelite.
