Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka bërë të ditur se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk renditet më mes përparësive të Ankarasë. Në deklaratën e dhënë për Al Jazeera Arabic, ai u distancua nga një synim që kishte zënë vend qendror në politikën e tij gjatë viteve të para në pushtet.
Të lidhura
None found
“Europa nuk e ka pranuar Turqinë prej 53 vitesh dhe nuk duket se po e shqyrton një mundësi të tillë as në të ardhmen e afërt, por ne nuk e kemi mbyllur derën. Ende mendojmë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nëse na pranojnë, mirë. Nëse nuk na pranojnë, edhe më mirë. Bashkimi Europian nuk është prioriteti ynë”, deklaroi Erdogan.
Sipas presidentit turk, në rast se Turqisë i refuzohet anëtarësimi, pasojat do t’i ndiejë Bashkimi Europian dhe jo vendi i tij. Ky pozicion shënon një kthesë krahasuar me deklaratat e mëparshme të kreut të shtetit turk.
Në qershor 2024, gjatë takimit me presidentin estonez Alar Karis, Erdoğan e kishte përkufizuar anëtarësimin e plotë në BE si një “objektiv strategjik” për Turqinë. Edhe AKP-ja, partia e tij që mori pushtetin në vitin 2002, e kishte vendosur fillimisht integrimin europian në themel të programit politik. Reformat e ndërmarra në atë periudhë i mundësuan Turqisë të hapte negociatat e anëtarësimit në vitin 2005.
Kërkesa e Turqisë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota u paraqit në vitin 1987, ndërsa statusi i vendit kandidat iu dha në vitin 1999. Megjithatë, procesi negociues vazhdon të jetë i bllokuar. Në raportin e publikuar vitin e kaluar, Komisioni Europian evidentoi përkeqësim të standardeve demokratike, pavarësisë së gjyqësorit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.
