Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në hotelin “Principote” në Ksamil, ku turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes u vra me thikë.
Sipas Balliut, niveli i sigurisë publike në vend ka pësuar rënie, ndërsa kriminaliteti dhe pasiguria kanë arritur përmasa alarmante.
Të lidhura
None found
Ai thekson se Shqipëria ka mbetur pa siguri, pa polici dhe pa shtet.
Deputeti demokrat shprehet se ngjarjet e ditëve të fundit kanë dëshmuar se siguria publike praktikisht është rrëzuar. Si shembull, ai përmend vrasjen e turistit portugez në Ksamil, pikërisht në kulmin e sezonit turistik.
Balliu ia atribuon këtë situatë degradimit të shtetit dhe depërtimit të kriminalitetit në politikë, në Parlament dhe në jetën e përditshme shqiptare.
Sipas tij, bandat nuk gjenden më vetëm në rrugë, por janë afruar pranë institucioneve dhe kanë hyrë në hapësirat ku duhet të vepronte shteti.
Ai paralajmëron se Shqipëria po shndërrohet në një “xhungël”, ku banditët përpiqen të imponojnë ligjin e tyre.
Balliu nënvizon se protestat kundër krimit nuk janë ato që e dëmtojnë turizmin. Sipas tij, goditjen ndaj këtij sektori e japin krimi, pasiguria dhe mungesa e shtetit, ndërsa kur institucionet dorëzohen, krimi kthehet në ligj.
