Në kulmin e tensioneve mes Washingtonit dhe Teheranit, presidenti amerikan Donald Trump ka risjellë propozimin që Ngushtica e Hormuzit të shpallet territor i Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Kur u pyet për deklaratat e mëparshme, sipas të cilave ngushtica mund të kthehej “shumë shpejt” në territor amerikan, Trump u përgjigj se kjo ishte “një ide e shkëlqyer”. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, ai deklaroi: “Ne e kontrollojmë atë me bllokadë dhe më pëlqen ideja e shpalljes së saj territor”. Presidenti pretendoi gjithashtu se SHBA-ja ushtron aktualisht “kontroll të plotë” mbi ngushticën dhe se bllokada amerikane ka rezultuar e efektshme.
Sipas Trump, Irani mund të tentojë të bllokojë qarkullimin në këtë korridor, përfshirë edhe përmes vendosjes së minave, por Shtetet e Bashkuara, siç tha ai, janë të afta ta mbajnë situatën nën kontroll.
Hormuzi përbën një nga korridoret detare më të rëndësishme për transportin botëror të naftës. Si pasojë e përplasjes ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, trafiku detar në këtë zonë është pakësuar ndjeshëm, ndërsa shqetësimet rreth furnizimeve globale kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës.
Këto komente u bënë pasi përfundoi pa një marrëveshje përfundimtare afati i memorandumit 60-ditor të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit. Trump ka njoftuar se Washingtoni nuk synon ta zgjasë këtë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Irani i ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së se kontrollon Hormuzin, duke këmbëngulur se ngushtica vijon të jetë nën autoritetin iranian.
Situata vazhdon të jetë e tensionuar. Dështimi i bisedimeve dhe tkurrja e trafikut në këtë korridor strategjik po ushqejnë frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, si edhe për pasojat që ai mund të ketë në tregjet globale të energjisë.
