Dorëheqja e Hamzës vë PDK-në përpara dilemës: Riorganizim i thellë apo përçarje e re?

Të mërkurën, Bedri Hamza njoftoi kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës se po jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit.

Në një konferencë për shtyp, Hamza theksoi se ky veprim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor në PDK, duke shtuar se detyrat që mori nga viti 2020, pas transferimit të ish-udhëheqësve në Hagë, përfshirë garën për kryetar të Mitrovicës, tri kandidime radhazi për kryeministër dhe drejtimin e partisë, ishin rezultat i përgjegjësisë ndaj PDK-së dhe Kosovës, e jo i ambicieve personale.

Të lidhura

None found

Ai theksoi se fokusi i tij gjatë periudhës në krye të partisë ishte ruajtja e unitetit, e strukturave dhe e besimit të anëtarësisë dhe elektoratit.

“Nuk po e braktis PDK-në. Po tërhiqem vetëm nga funksioni i kryetarit, por jo nga besimi te vlerat tona politike. Sa të jem gjallë, do të mbetem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe pjesë e kësaj familjeje të madhe politike”, deklaroi ai.

Menjëherë pas dorëheqjes, organet drejtuese caktuan Vlora Çitakun si ushtruese detyre e kryetares, bëri të ditur zyra për media e partisë. Ajo ishte kandidatura e vetme e propozuar, me emrin e saj të sugjeruar nga vetë Hamza, siç konfirmoi deputetja dhe anëtarja e Kryesisë, Blerta Deliu-Kodra.

Çitaku do ta ushtrojë këtë funksion deri në përfundimin e procesit zgjedhor brenda partisë.

Analistët politikë kanë komentuar për “Bota sot” rreth këtij veprimi të Hamzës, ndikimit që do të ketë në të ardhmen e PDK-së, si dhe mundësive për reformim dhe për përmbushjen e misionit politik të tij. Në vlerësimin e tyre, dorëheqja mund të interpretohet si një rast i marrjes së përgjegjësisë për dështimin e lidershipit, duke pasur parasysh se ai e drejtoi partinë gjatë një faze të vështirë politike.

Image

Sipas tyre, misioni politik i Hamzës është kryer dhe PDK-së tani i duhet një proces që nuk do të mbetet vetëm te konkurrenca për postin e kryetarit, por që do të hapë edhe debatin për programin, strukturën organizative dhe orientimin politik të saj.

Shembulli politik dhe domosdoshmëria e ripërtëritjes së PDK-së

Analisti Nexhat Haziri e konsideron dorëheqjen e Hamzës si një model për skenën politike të Kosovës.

Sipas tij, ky veprim do t’i japë PDK-së një impuls të ri.

“Dorëheqja e Bedri Hamzës nga drejtimi i PDK-së, përveçse një zhvillim i zakonshëm demokratik brenda një subjekti politik, duhet parë edhe si shembull për të gjithë skenën politike kosovare për marrjen e përgjegjësisë për një projekt që nuk i ka plotësuar pritshmëritë, pasi rrallë kemi parë liderë që mbajnë përgjegjësi për mossuksesin e udhëheqjes së tyre. Sigurisht që kjo dorëheqje do të krijojë një dinamikë të re për vetë PDK-në, e cila duhet të synojë krijimin e një projekti me vizion të qartë dhe qëllim të ri se ku do të arrijë, e kjo kërkon reforma, hapje të partisë me një proces zgjedhor demokratik e gjithëpërfshirës. Kjo nënkupton një PDK që nuk do të varet nga Haga dhe vendimet që do të merren atje për ish-liderët e saj, por një PDK si projekt i ri politik dhe alternativë e re për Kosovën përballë qeverisjes së LVV-së dhe z. Kurti. Kjo nuk do të thotë se PDK-ja nuk duhet të interesohet për zhvillimet në Gjykatën Speciale dhe për fatin e ish-liderëve të saj”, u shpreh Haziri.

Haziri çmon se Bedri Hamza e ka realizuar deri diku misionin e tij në krye të PDK-së, pavarësisht kushteve të pafavorshme politike. Ai shton se Hamza arriti të ruante njëfarë uniteti të brendshëm dhe të shfaqte një lidership të ekuilibruar, bashkëkohor dhe jopopulist, edhe pse rezultatet nuk i plotësuan plotësisht pritshmëritë e tij dhe të mbështetësve të PDK-së.

“Lidhur me z. Hamza dhe misionin e tij, mendoj se ai e përmbushi deri në një farë mase, ndonëse rrethanat e krijuara dhe situata politike, jo vetëm e brendshme, duket se nuk ishin në favor të tij. Megjithatë, ai arriti të ruante një shkallë uniteti të brendshëm në PDK dhe tregoi një udhëheqje të matur, moderne dhe jopopuliste. Por kjo, me sa duket, nuk mjaftoi që arritjet e lidershipit të tij, brenda PDK-së dhe në përgjithësi në skenën politike kosovare, të përputheshin me pritjet e tij dhe të vetë elektoratit të PDK-së. Nga ky proces pres që të përfitojë vetë PDK-ja, duke u ripërtërirë, nëse mund të shprehem kështu. Siç e thashë edhe më herët, kjo është një mundësi e mirë për një proces të brendshëm zgjedhor demokratik dhe gjithëpërfshirës, i cili duhet të sjellë energji të re, lidership të ri dhe një projekt të ri politik, në përputhje me synimet e partisë, por edhe me nevojat dhe sfidat që e presin vendin. PDK-ja duhet të ofrojë një alternativë të re politike. Është fat i mirë për këtë parti që nuk i mungojnë personalitetet dhe figurat e reja, të përgatitura profesionalisht dhe me integritet moral e politik, të cilat mund ta udhëheqin PDK-në”, deklaroi Haziri për “Bota sot”.

Prova e PDK-së: zgjedhje transparente dhe demokratike apo ‘përplasje’

Ndërkaq, analisti Ali Hertica thekson se dorëheqja e Hamzës e çon PDK-në në një etapë të re.

Image

Sipas tij, kjo etapë do të vërë në provë kapacitetin e saj për të gjetur një udhëheqje që ruan strukturën aktuale dhe njëkohësisht krijon hapësirë për zhvillime të reja politike.

“Dorëheqja e Bedri Hamzës duhet kuptuar në kontekstin e përgjegjësive që ai mori pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së. Ai e drejtoi partinë në një periudhë të vështirë politike, duke u përballur me disa procese zgjedhore dhe me nevojën për të ruajtur organizimin dhe unitetin e saj. Hamza ka theksuar se vendimi i tij është i menduar mirë dhe se po largohet vetëm nga pozita e kryetarit, jo nga partia. Megjithatë, dorëheqja e tij hap një fazë të re për PDK-në, në të cilën do të testohet aftësia e saj për të gjetur një udhëheqje që mund ta ruajë strukturën ekzistuese dhe të krijojë hapësirë për zhvillime të reja politike”, deklaron Hertica për “Bota sot”.

Sipas tij, dorëheqja e Hamzës mund të krijojë kushte për reformimin e PDK-së, por ndryshimi në krye nuk sjell automatikisht reformim.

“Dorëheqja mund të krijojë mundësi për reformimin e PDK-së, veçanërisht nëse realizohet premtimi i Hamzës për përfshirjen e të rinjve dhe të figurave të reja në vendimmarrje. Ai kishte shprehur gatishmërinë për ta hapur partinë ndaj qytetarëve që dëshirojnë të kontribuojnë politikisht. Megjithatë, ndryshimi i udhëheqjes nuk garanton vetvetiu reformimin”, thekson analisti.

Sipas tij, e gjitha varet nga mënyra si do të zhvillohet procesi i brendshëm.

“Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet procesi zgjedhor brenda partisë, nga konkurrenca ndërmjet kandidatëve dhe nga aftësia e strukturave të PDK-së për të arritur një marrëveshje të brendshme. Nëse procesi zhvillohet në mënyrë transparente dhe demokratike, ai mund të shërbejë për konsolidimin e partisë; në rast të kundërt, mund të nxjerrë në pah mospajtimet ekzistuese”, nënvizon Hertica.

I pyetur për misionin politik të Hamzës dhe drejtimin e tij, Hertica thotë se ai u përball me përgjegjësi të mëdha.

Ai shton se udhëheqja e tij duhet gjykuar në lidhje me rrethanat në të cilat e mori detyrën, barrën që mbajti dhe gjendjen në të cilën e lë partinë në fund të mandatit.

“Hamza mori drejtimin e PDK-së në rrethana të jashtëzakonshme, kur disa nga figurat më të rëndësishme të saj ndodheshin në Hagë. Gjatë kësaj periudhe, ai u përball me përgjegjësinë për ta përfaqësuar partinë në zgjedhje të njëpasnjëshme dhe për ta mbajtur atë funksionale në mungesë të udhëheqësve të saj historikë. Ai gjithashtu u angazhua për përfshirjen e emrave të rinj në listat zgjedhore. Nga ana tjetër, Hamza kishte shpresuar që drejtimin e partisë t’ua kthente Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, por zhvillimet e 16 shtatorit e larguan këtë mundësi. Prandaj, udhëheqja e tij duhet të vlerësohet në raport me rrethanat në të cilat e mori detyrën, përgjegjësitë që përballoi dhe gjendjen që ia lë partisë në përfundim të mandatit. Angazhimi për drejtësi dhe për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së mbetet, sipas deklarimeve të tij, pjesë e qëndrimeve politike të PDK-së”, shton analisti.

Në konferencën e tij Hamza nuk dha ndonjë datë për fillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme dhe derisa pritet që PDK t’i organizojë ato, Hertica pret që theksi t’i vihet aftësisë së kandidatëve për të bashkuar strukturat dhe për të krijuar hapësirë për gjenerata të reja.

Sipas tij, PDK-së i duhet një proces që nuk do të kufizohet vetëm te gara për postin e kryetarit, por që do të përfshijë edhe diskutimin për programin, organizimin dhe orientimin e saj politik.

“Procesi i ri zgjedhor mund t’u japë mundësi figurave të ndryshme të PDK-së që të paraqesin vizionin e tyre për të ardhmen e partisë. Përveç përvojës politike dhe organizative, rëndësi do të ketë edhe aftësia e kandidatëve për të bashkuar strukturat dhe për të krijuar hapësirë për gjeneratat e reja. PDK-ja ka nevojë për një proces që nuk do të kufizohet vetëm te gara për postin e kryetarit, por që do të përfshijë edhe diskutimin për programin, organizimin dhe orientimin e saj politik. Ruajtja e unitetit do të varet nga respektimi i rregullave të brendshme, pranimi i rezultatit nga kandidatët dhe përfshirja e grupeve të ndryshme brenda partisë. Në këtë mënyrë, ndryshimi i udhëheqjes mund të shndërrohet në një mundësi për konsolidimin e PDK-së dhe jo në burim të përçarjeve të reja”, përfundon Hertica.

Hamza u zgjodh kryetar në Konventën e PDK-së më 17 nëntor 2025, pak ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Në ditën e zgjedhjes premtoi se do ta mbante partinë të bashkuar dhe do ta hapte për njerëz të rinj; listat e PDK-së nën drejtimin e tij u mbushën me emra të rinj kandidatësh për deputetë.

Ai ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit 2025, të 28 dhjetorit 2025 dhe të 7 qershorit 2026. Në të tria garat PDK doli e dyta pas Vetëvendosjes. Në zgjedhjet e qershorit, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ-ja, PDK-ja mori 19,44 për qind të votave dhe 22 mandate, ndërsa Vetëvendosje fitoi 53.

Para se të drejtonte partinë, Hamza ka qenë ministër i Financave, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (2013–2017) dhe kryetar i Mitrovicës.


Shtuar më 23.10.2026 12:19