Tom Skerritt, aktori i “Alien” dhe “Top Gun”, ndërron jetë në moshën 93-vjeçare

Aktori amerikan Tom Skerritt, i njohur për rolet në filmat “Alien” dhe “Top Gun”, ka vdekur në moshën 93-vjeçare. Publicisti i tij konfirmoi lajmin për revistën “Variety” dhe bëri të ditur se vdekja erdhi për shkaqe natyrore.

Në një deklaratë të familjes, të publikuar nga revista “People”, Skerritt përshkruhet si një aktor me karrierë të gjatë e të suksesshme, por edhe si njeri me humor, mençuri e bujari, që u dha shumë dashuri njerëzve të tij të afërt.

Të lidhura

None found

Humbja e tij preku edhe kolegët, të cilët ndanë homazhe në kujtim të aktorit. Julia Roberts, bashkëpunëtorja e tij në filmin “Steel Magnolias”, e kujtoi si “një dritë të shkëlqyeshme dhe një njeri të butë”.

Cathy Baker, që luajti përkrah tij në serialin “Picket Fences”, shprehu pikëllimin, duke e cilësuar Skerrittin mik të dashur dhe partner të jashtëzakonshëm në ekran. Ajo tha se kishte mësuar shumë prej tij dhe se puna e përbashkët kishte qenë përvojë e veçantë.

Gjatë më shumë se gjashtë dekadave në film dhe televizion, Skerritt u përfshi në mbi 170 produksione. Ai fitoi çmimin Emmy, si dhe mori nominime për Golden Globe dhe Screen Actors Guild.

Pas katër vitesh në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, ai nisi karrierën në kinema më 1962, duke u shfaqur në filmin e luftës “War Hunt” bashkë me Robert Redford dhe Sydney Pollack.

Një hap të rëndësishëm drejt famës e shënoi më 1970, me rolin në komedinë satirike “M*A*S*H” të regjisorit Robert Altman. Filmi u prit me sukses të madh në kinema dhe u nominua për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë.

Gjatë dekadës së viteve 1970, Skerritt interpretoi edhe në filmat “Harold and Maude”, “Thieves Like Us”, “Big Bad Mama” dhe “The Turning Point”.

Ndër rolet më të njohura të tij ishte kapiteni Dallas në filmin fantastiko-shkencor “Alien”, me regji të Ridley Scott, që doli në vitin 1979. Filmi u bë klasik i zhanrit dhe mbetet një nga veprat më të spikatura të karrierës së aktorit.

Më 1986, ai u shfaq në “Top Gun” përkrah Tom Cruise, duke interpretuar komandantin Mike “Viper” Metcalf. Ky rol i solli një brez të ri admiruesish.

Në vitet 1990, filmografia e tij u zgjerua me tituj si “A River Runs Through It”, “Contact”, “Poison Ivy” dhe “The Other Sister”. Ai u vlerësua gjithashtu për rolin në serialin “Picket Fences”, që i solli çmimin Emmy. Seriali, i transmetuar për katër sezone, trajtonte çështje familjare dhe shoqërore.

Edhe gjatë viteve 2000, Skerritt vazhdoi të punonte në ekran, me pjesëmarrje në filmat “Tears of the Sun” dhe “Whiteout”, si edhe në serialet “Will & Grace”, “The West Wing” dhe “Brothers & Sisters”.

Paraqitja e tij e fundit në një film ishte në dramën western “Broke”, të vitit 2025, ku luajti së bashku me Dennis Quaid.

Skerritt u angazhua edhe në nisma shoqërore. Në vitin 2012, ai ishte bashkëthemelues i “Red Badge Project”, një program që synonte t’i ndihmonte veteranët ushtarakë të përballonin traumën psikologjike pas shërbimit, duke rrëfyer përvojat e tyre.

Në një intervistë të dhënë më 2021, aktori tha se e konsideronte veten njeri me fat. Ai shtoi se forca e një personi shihet te mënyra si përballet me dobësitë e veta.

Me vdekjen e Tom Skerritt, kinemaja amerikane humbet një aktor me një karrierë të pasur e të larmishme, i cili la gjurmë në filma dhe seriale të njohura nga disa breza.


Shtuar më 23.10.2026 08:36