Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të lejohet të marrë pozitën e Presidentit të Kosovës pa një pajtim politik.
Të lidhura
None found
“Presidentin nuk do ta marrë pa pasur një pozicion konsensual, pa marrë parasysh se kush çfarë pozicioni ka, sepse ajo është një figurë që duhet të reflektojë unitetin dhe jo partinë. Ne do të punojmë që të pengojmë kthimin e Republikës së Kosovës në parti-shtet”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje politike në një kohë kur Kuvendi ende nuk është konstituar.
Duke iu referuar pengimit të hyrjes së deputetëve në Kuvend, Tahiri ngriti pyetjen se mbi çfarë baze po kërkohet një marrëveshje politike.
“Qysh mundet me pasur marrëveshje politike kur nuk ka Kuvend të konstituum. Mbi çfarë logjike mund të arrihet një marrëveshje politike kur neve na u ka parandaluar hyrja në Kuvend dhe Kuvendi nuk ekziston i konstituar, mbi çfarë baze”, tha ai.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë tentuar sërish sot të hyjnë në sallën e Kuvendit, por ajo ka qenë e mbyllur për ta.
