Eduardo Pape, mesfushori 17-vjeçar i Cruzeiros, është kthyer në objektiv të Arsenalit dhe Newcastle United, ndërsa Bayern Munich po e ndjek me vëmendje situatën e tij.
Gazetari i ESPN Brasil, Felipe Silva, raporton se klubet evropiane kanë filluar ta monitorojnë brazilianin, i cili shihet si një nga emrat më premtues për të ardhmen.
Të lidhura
None found
Edhe pse ende nuk është aktivizuar me ekipin e parë të Cruzeiros, Pape ka spikatur me skuadrën U20. Në 32 ndeshje gjatë vitit të kaluar, ai shënoi tre gola dhe dha tri asistime.
Talenti i ri ka luajtur gjithashtu për përfaqësueset e moshave të Brazilit, një faktor që ka rritur interesimin e klubeve për të.
Cruzeiro e ka të lidhur Pape me kontratë deri në dhjetor të vitit 2029. Marrëveshja përfshin një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh për klubet e huaja.
Pavarësisht kësaj shume, Nelson Ramos, presidenti i klubit Azuriz, beson se një transferim i mundshëm mund të mbyllet për 20 deri në 25 milionë euro.
Adilson Batista, drejtori i akademisë së Cruzeiros, e ka vlerësuar mënyrën e lojës së tij duke e krahasuar me mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, si dhe me ish-sulmuesin kolumbian Radamel Falcao.
Arsenali dhe Newcastle vazhdojnë të vëzhgojnë zhvillimin e Papes, por një kalim në Angli nuk mund të ndodhë para verës së ardhshme, për shkak të rregullave që kufizojnë transferimet e futbollistëve të mitur.







