Policia e Kosovës ka marrë masën e suspendimit ndaj 11 zyrtarëve policorë, pas mënyrës së trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Vendimi është ndërmarrë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). Ndërkohë, IPK-ja po zhvillon një hetim paraprak për të verifikuar veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve gjatë trajtimit të këtij rasti, transmeton “Bota sot”.
Të lidhura
None found
Mes zyrtarëve të pezulluar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe drejtues të tjerë të strukturave përkatëse.
Masës së suspendimit i është nënshtruar gjithashtu komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, bashkë me katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, vendimi është marrë në përputhje me Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës, si dhe rekomandimin e IPK-së.
Prishtinë, 29 tetor 2026 – Në lidhje me trajtimin e rastit të viktimës A. Z., të ndodhur në Vitomiricë të Pejës, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë.
Hetimi paraprak ndaj tyre po kryhet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe lidhet me veprimet apo mosveprimet e mundshme në rastin në fjalë. Në bazë të rekomandimit të IPK-së, menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka suspenduar ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal në DRP-Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, shefin e Sektorit të Hetimeve dhe ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në këtë stacion, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se suspendimet synojnë të mundësojnë zhvillimin e pavarur të hetimeve, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale për trajtimin e rastit.
Institucioni ka deklaruar se do të vijojë angazhimin për ruajtjen e vlerave dhe integritetit, ofrimin e një shërbimi të drejtë e të paanshëm dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet relevante.




