Kurti zhvillon takim me gjeneralin Grynkewich

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë dhe njëkohësisht Komandantin e Komandës për Evropë të Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Alexus Grynkewich. Në takim morën pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Roberto Vergori, si dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.

Kurti bëri të ditur se shpenzimet e Republikës së Kosovës për mbrojtjen kanë qenë mbi 2% të Bruto Produktit Vendor për katër vjet me radhë. Ai njoftoi gjithashtu se javën e kaluar u betuan 515 ushtarë të rinj, ndërsa këtë javë 209 rekrutë nisën stërvitjen bazë.

Të lidhura

None found

Sipas kryeministrit, Republika e Kosovës po vijon programet e trajnimit dhe procesin e blerjeve, me qëllim forcimin e përgatitjes profesionale ushtarake dhe zgjerimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kurti theksoi se vendi është përpara planit dhjetëvjeçar dhe se synon ta përmbushë atë para vitit 2028. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe shprehu mirënjohje për KFOR-in, për kontributin e tij në ruajtjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon.


Shtuar më 29.10.2026 16:00