Gjenerali Alexus G. Grynkewich, komandant suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), u prit me ceremoni ushtarake nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Në vizitë e shoqëruan e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Roberto Vergori, si dhe delegacioni i tij.
Grynkewich zhvilloi bisedime me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari. Sipas njoftimit të FSK-së, në takim u trajtuan çështje që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë e rajon.
Të lidhura
None found
Palët vlerësuan përparimin dhe zhvillimin e FSK-së, si dhe shprehën gatishmërinë për ta zgjeruar bashkëpunimin mes dy institucioneve. Në diskutime u përfshi edhe optimizimi i KFOR-it, duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me institucionet vendore.
Vizita, sipas FSK-së, konfirmon rëndësinë e partneritetit të Kosovës me NATO-n dhe angazhimin e përbashkët për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe më gjerë. FSK-ja theksoi se do të vijojë zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e lidhjeve me aleatët, në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe në avancimin drejt standardeve euroatlantike.





