Aplikacioni i takimeve Bumble ka shkaktuar shumë reagime pasi njoftoi një ndryshim thelbësor në mënyrën e funksionimit: tani edhe burrat kanë mundësinë të ndërmarrin hapin e parë dhe të dërgojnë mesazhin fillestar pas një “match”-i.
Të lidhura
None found
Platforma u bë e famshme më shumë se dhjetë vjet më parë pikërisht për shkak të modelit të saj unik, i cili u jepte vetëm grave të drejtën për të nisur bisedën me përdoruesit e seksit tjetër.
Megjithatë, kompania e ka përshkruar ndryshimin si pjesë të një “evolucioni global”, duke theksuar se përdoruesit e sotëm duan më shumë liri dhe më pak stres gjatë takimeve online.
“Bumble u ndërtua mbi idenë se, kur e përmirëson përvojën e takimeve për gratë, e përmirëson atë për të gjithë. Kjo mbetet e vërtetë edhe sot”, tha Whitney Wolfe Herd, themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e Bumble.
“Fakti që gratë bënin lëvizjen e parë ishte një ide radikale, por të qenit një platformë që i vendos gratë në qendër nuk ka nënkuptuar asnjëherë se ka vetëm një mënyrë për të krijuar lidhje.”
Sipas saj, qëllimi ka qenë gjithmonë të krijohej një përvojë e projektuar duke pasur parasysh nevojat e grave dhe që në fund të japë rezultate më të mira për të gjithë përdoruesit.
Përdoruesit reaguan me kritika: “U shndërrua në Tinder 2.0”
Megjithatë, vendimi nuk u prit mirë nga të gjithë.
Në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë kritikuar Bumble, duke argumentuar se aplikacioni po largon pikërisht elementin që e dallonte nga konkurrentët e tjerë.
“Bumble sapo u bë Tinder i zakonshëm, vetëm me sfond të verdhë. Kjo e shkatërron të gjithë konceptin e aplikacionit”, shkroi një përdorues në X.
Një tjetër komentoi: “Është qesharake sepse ky aplikacion u krijua për t’u dhënë grave më shumë kontroll, tamam si alternativë ndaj Tinder. Tani është shndërruar në Tinder.”
Ndërsa një tjetër shkroi shkurt: “Hoqën të vetmen gjë që e bënte të veçantë.”
Sondazhi që ndryshoi strategjinë e Bumble
Bumble u themelua nga Whitney Wolfe Herd në vitin 2014 dhe u rrit me shpejtësi falë rregullit që u jepte grave ekskluzivitetin për të nisur një bisedë.
Në atë kohë, kompania argumentonte se ky sistem ndihmonte në krijimin e një komuniteti më të sigurt dhe më të respektueshëm, duke pakësuar mesazhet e padëshiruara.
Megjithatë, pas një sondazhi të fundit me përdoruesit, Bumble vendosi të ndryshojë filozofinë fillestare.
Sipas kompanisë, 66 për qind e grave të anketuara thanë se preferojnë që burrat të dërgojnë mesazhin e parë, ndërsa shumë prej tyre deklaruan se kjo e bën procesin e njohjes më pak stresues.
Me sistemin e ri, secili nga dy personat që kanë bërë “match” mund të nisë bisedën, pavarësisht gjinisë.
Gjithashtu, koha për t’iu përgjigjur një mesazhi është zgjatur nga 24 në 72 orë.
Bumble: Përdoruesit kërkojnë më pak presion

Whitney Wolfe Herd tha se ndryshimi është rezultat i asaj që komuniteti i aplikacionit kërkon sot.

“Komuniteti ynë po kërkon më shumë fleksibilitet, më pak presion dhe më shumë mundësi për të krijuar lidhje reale dhe kuptimplota. Pikërisht këtë synon të ofrojë eksperienca e re”, shpjegoi ajo.
Sipas saj, ndryshimi nuk përfaqëson një distancim nga filozofia me të cilën u themelua Bumble.
“Ky evolucion nuk është një largim nga vizioni ynë fillestar, por realizim i tij.”
Kompania pretendon se testimet e para të sistemit të ri kanë dhënë rezultate premtuese.
Jo të gjithë janë kundër
Pavarësisht kritikave, disa përdorues e kanë mirëpritur ndryshimin, duke argumentuar se mund të ndihmojë në rritjen e numrit të bisedave reale pas një “match”-i.
“Nëse fakti që burrat mund të bëjnë hapin e parë e rrit normën e përgjigjeve qoftë edhe me 15 për qind, atëherë është një fitore e madhe për të gjithë përdoruesit”, shkroi një prej tyre.
Ky ndryshim shënon një kthesë të rëndësishme për Bumble, pasi platforma po heq një nga rregullat që e kishte bërë të dallueshme që nga themelimi.
Nëse strategjia e re do ta ndihmojë aplikacionin të krijojë më shumë lidhje mes përdoruesve apo do ta kthejë atë thjesht në “një Tinder tjetër”, mbetet për t’u parë. /GazetaExpress/
