Moskës nuk iu desh shumë kohë të reagojë ndaj vizitës miqësore të Volodimir Zelenskyt në Beograd. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u ndal te mundësia që Serbia të përfshihet në financimin e Ukrainës, duke e konsideruar këtë skenar tërësisht të papranueshëm për Rusinë. Ai iu referua raportimeve mbi bashkëpunimin e Beogradit me Kievin dhe Bashkimin Europian.
Të lidhura
None found
“Do të ishte e papranueshme për ne nëse vëllezërit tanë serbë do të merrnin pjesë në financimin e Ukrainës. Ne ndërkohë do t’i ashpërsojmë ndjeshëm metodat tona, me qëllim që të shkatërrojmë gjithçka që ushqen makinerinë luftarake të Kievit nga Perëndimi”, tha ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Duke komentuar raportet mes Aleksandar Vuçiçit dhe presidentit ukrainas, Lavrov e paraqiti pritjen e Zelenskyt në Beograd si një lëvizje taktike të presidentit serb. Sipas shefit të diplomacisë ruse, Vuçiç e priti homologun ukrainas për të zbutur atë që Lavrov e cilësoi si “presion të paturpshëm” të Bashkimit Europian.
Ministri rus i ashpërsoi gjithashtu sulmet ndaj Brukselit, duke deklaruar se “BE-ja tashmë është shndërruar në Rajhun e Katërt”. Këto deklarata bëhen ndërsa Serbia kërkon të mbajë marrëdhëniet e saj tradicionale me Rusinë dhe, në të njëjtën kohë, vijon rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Pak ditë më parë, Vuçiç tha se Beogradi do të mbështesë integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës, ndërsa synon edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, ai u kujdes të mos merrte ndonjë angazhim për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, aleatit tradicional të Serbisë. Javën e kaluar, Zelensky zhvilloi një vizitë dyditore në Beograd, ku pati takime me zyrtarë të lartë serbë.
