Për të 14-ën ditë me radhë, qytetarët e Divjakës dolën edhe mbrëmjen e sotme në rrugët e qytetit, duke vijuar protestën kundër reformës administrative-territoriale.
Protestuesit përsëritën thirrjen “Divjakë bashki!”, ndërsa kundërshtuan fuqishëm propozimin e PS-së që Bashkia Divjakë të përfshihet nën administrimin e Bashkisë Lushnjë.
Të lidhura
None found
Në tubim u kërkua publikisht dorëheqja e kryetarit të Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea. Sipas qytetarëve, një vendim i tillë do të mbronte dinjitetin e tij dhe të qytetit.
Thirrja për dorëheqje iu drejtua gjithashtu anëtarëve të Këshillit Bashkiak, mbledhja e të cilëve pritet të zhvillohet të premten, në orën 10:00.
Duke marshuar përgjatë rrugëve kryesore të Divjakës, pjesëmarrësit ftuan edhe banorët e tjerë t’i bashkohen përpjekjes për mbrojtjen e autonomisë vendore.
Qytetarët deklaruan se rezistenca do të vazhdojë pa ndërprerje deri në përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore, që është ruajtja e statusit të Bashkisë Divjakë.
