Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj gjithsej 8 personave, të cilët ngarkohen si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Të lidhura
None found
Sipas PTHP-së, gjatë viteve 2023 dhe 2024, të pandehurit kanë vepruar bashkërisht duke dalë përtej kufijve të autorizimeve dhe përgjegjësive të tyre të posaçme. Veprimet dyshohet se janë ndërmarrë me synimin për t’i shkaktuar dëm personit juridik, Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, në shumën e konsiderueshme prej 507.632.173 denarësh.
Të akuzuarit e dinin se Shoqëria Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nuk gëzonte të drejtën për të organizuar në territorin e vendit lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve të videolotarisë. Kjo e drejtë, në vitin 2013, ishte dhënë si kontribut jomonetar me vlerë 6.244.898 euro gjatë themelimit të Shoqërisë për Organizimin e Lojërave të Fatit – Lotaria Shtetërore Video e Republikës së Maqedonisë “KASINOS AUSTRIA” SHPK Shkup. Në këmbim, Lotaria Shtetërore kishte përfituar 51% pjesëmarrje në kapitalin themeltar të shoqërisë.
Megjithatë, më 09.05.2023, i akuzuari i parë, në funksionin e drejtorit të përgjithshëm dhe kryetarit të Bordit Drejtues të “Lotarisë Shtetërore”, i dorëzoi të akuzuarit të tretë, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, një informacion mbi nevojën për ndërmarrjen e aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit.
Në dokumentin e shoqëruar me propozim-përfundime ishte përcaktuar se vlera e prokurimit përbënte 42% të vlerës kontabël të pasurisë së shoqërisë, të llogaritur sipas raporteve të saj më të fundit financiare. Për këtë arsye, prokurimi cilësohej si transaksion i madh, miratimi i të cilit ishte në kompetencën e Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë.
Më 06.06.2023, Sekretari i Përgjithshëm e propozoi informacionin si plotësim të një pike të rendit të ditës në seancën e Qeverisë. Sipas Prokurorisë, ai veproi në kundërshtim me nenin 119 paragrafi 2 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi dokumentin nuk ia ktheu parashtruesit dhe as nuk ia përcolli organit kompetent.
Seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e Kuvendit të Lotarisë Shtetërore, e kryesoi i akuzuari i dytë. Në cilësinë e personit përgjegjës, ai kishte ndikim real në drejtimin e SHA Lotaria Shtetërore dhe propozoi miratimin e pikës së rendit të ditës të plotësuar në këtë mënyrë, ndonëse ishte i vetëdijshëm se marrja e një vendimi të tillë nuk ishte në kompetencën e Qeverisë si Kuvend i Shoqërisë Aksionare.
Pas miratimit të informacionit, Shoqëria Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit – Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut u ngarkua të ndërmerrte veprimet e nevojshme për nisjen e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit, si dhe të zhvillonte prokurimin publik për terminale videolotarie.
Edhe pse kishin dijeni se procedura ligjore nuk ishte ndjekur, të akuzuarit e tjerë, përkatësisht kryetari dhe anëtarët e Bordit Mbikëqyrës, morën vendim për miratimin e fillimit të procedurës së prokurimit publik të terminaleve të videolotarisë për organizimin e lojërave elektronike të fatit, duke e trajtuar atë si transaksion të madh. Prokurimi publik u realizua dhe u krijuan detyrime financiare për pagesë, duke i shkaktuar SHA Lotaria Shtetërore dëmin në shumën e lartpërmendur.
Meqë i akuzuari i parë vazhdon të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, ndodhet në arrati dhe për gati një vit nuk është gjetur e as privuar nga liria, prokurori publik ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh. Kjo masë është propozuar të zbatohet nga çasti kur ai të gjendet.
Për të akuzuarin e dytë është kërkuar vazhdimi i paraburgimit shtëpiak të vendosur më herët. Krahas kësaj mase, atij i ishte shqiptuar edhe masa e kujdesit për marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose të një dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.
Për të pandehurit e tjerë, prokurori publik kompetent ka propozuar masa kujdesi që përfshijnë detyrimin për paraqitje periodike në Gjykatë, marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit ose të një dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalimin për t’iu afruar personave të caktuar apo për të vendosur dhe mbajtur kontakte ose lidhje me ta, thuhet në njoftimin e PTHP-së./Telegrafi/
