Disa ndërtesa në qytetin Treuchtlingen të Bavarisë po evakuohen nga policia gjermane për arsye sigurie, pasi mbi shinat hekurudhore u zbulua një objekt i dyshimtë, i cili mund të jetë një mjet shpërthyes.
Të lidhura
None found
Objekti u konstatua nga një punonjës i hekurudhës mëngjesin e së enjtes, 13 gusht, në hyrje të stacionit të trenit në Treuchtlingen, në Frankoninë e Mesme. Menjëherë pas zbulimit, ai lajmëroi policinë.
Autoritetet që mbërritën në zonë vlerësuan se sendi kërkonte verifikim të specializuar, për shkak të dyshimeve se mund të përmbante lëndë shpërthyese. Në vendngjarje janë angazhuar forcat speciale, ekspertët e Policisë Federale dhe ekipet e çminimit, të cilat po përcaktojnë përbërjen e objektit dhe rrezikun e mundshëm për qytetarët.

Për kontrollin e tij janë përdorur rreze X, ndërsa pranë stacionit është aktivizuar edhe një robot për asgjësimin e eksplozivëve.
Masat e sigurisë mbeten në fuqi dhe procesi i evakuimit të ndërtesave përreth po vazhdon paralelisht me hetimet dhe ekzaminimin e objektit. Treuchtlingen, qytet me rreth 13 mijë banorë, shtrihet mes Nurembergut dhe Ingolstadtit.
