Nën sloganin “Reflekto – Sot, Nesër, Masnesër”, këtë të mërkurë në Mitrovicë ka filluar edicioni i 16-të i festivalit “Green Fest”.
Të lidhura
None found
Festivali do të vazhdojë deri më 16 gusht, ndërsa në qendër të këtij edicioni do të jetë biodiversiteti në qytet. Përmes programit synohet gjithashtu të nxitet reflektimi për mënyrën e trajtimit të ambientit, me aktivitete të ndryshme që përfshijnë kajak, ekspozita dhe koncerte.
Dhjetëra qytetarë morën pjesë në ceremoninë hapëse, ku të pranishme ishin edhe figura nga politika.
Mes pjesëmarrësve ishte ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Në fjalën e saj në hapje, ajo deklaroi se Mitrovica, përpara se të njihej si qytet i minatorëve, kishte qenë edhe një qytet pikëtakimesh.
Haxhiu u shpreh e kënaqur që ndodhej në “Green Fest”, pikërisht në Mitrovicë, e cila nga shumëkush njihet si qyteti i minatorëve. Ajo theksoi se, para këtij identifikimi, qyteti shërbente si vend takimi, aty ku bashkohen Ibri dhe Sitnica, ku ndërthureshin rrugët tregtare dhe, më vonë, linjat hekurudhore që e lidhnin Mitrovicën me shumë vende të tjera.
Sipas saj, themelimi i Trepçës solli në qytet minatorë, inxhinierë dhe familje nga pjesë të ndryshme të Kosovës, por edhe nga rajone më të gjera. Haxhiu tha se ata sollën me vete gjuhët, zakonet, muzikën dhe përvojat e tyre.
Drejtori i festivalit, Lulzim Hoti, e cilësoi sloganin e këtij edicioni si disi provokues, por njëkohësisht të nevojshëm.
“Green Fest” vazhdon të gëzojë pëlqimin e publikut, ndaj çdo vit ka interesim për pjesëmarrje gjatë ditëve të zhvillimit të tij.
