Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, ishte pjesë e panelit “Integrimi në Bashkimin Evropian dhe Mekanizmat Rajonalë”, të zhvilluar në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve. Në diskutimin me drejtuesit e misioneve diplomatike të Kosovës, ai trajtoi procesin e anëtarësimit në BE, si dhe rëndësinë dhe rolin e diplomacisë së vendit në përparimin drejt statusit kandidat dhe nisjes së negociatave.
Të lidhura
None found
Sipas Zulfajt, Kosova disponon argumente të fuqishme për t’u njohur si vend kandidat dhe për hapjen sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim. Ai e përshkroi Kosovën si një demokraci dinamike, me ekonomi të qëndrueshme dhe në rritje, të harmonizuar plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe si një partnere proaktive dhe e besueshme e Bashkimit Evropian.
Kryenegociatori nënvizoi se avancimi i Kosovës në rrugën evropiane ndihmon në fuqizimin e institucioneve demokratike, ndërsa njëkohësisht kontribuon në paqen, sigurinë dhe perspektivën demokratike të të gjithë rajonit.
Zulfaj vlerësoi gjithashtu se misionet diplomatike të Kosovës kanë një rol me rëndësi në paraqitjen dhe promovimin e këtyre argumenteve pranë shteteve anëtare të BE-së.
Në kuadër të bashkëbisedimit dhe pjesës së pyetjeve e përgjigjeve, u trajtuan më hollësisht qasja e Kosovës ndaj anëtarësimit, zhvillimet brenda Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare, reformat, si dhe format përmes të cilave misionet diplomatike mund të japin kontribut të drejtpërdrejtë në avancimin e agjendës së integrimit.
