Që nga nisja e konfliktit, Kosova ka treguar solidaritet me popullin ukrainas dhe shtetin e Ukrainës, duke imponuar sanksione kundër Rusisë dhe duke pritur gazetarë ukrainas të detyruar të ikin nga vendi i tyre. Pavarësisht kësaj, Ukraina nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference për shtyp në Beograd, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se pozicioni i tyre mbetet i palëkundur, ndërsa shprehu mirënjohje për Serbinë.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, deklaroi Zelensky në konferencën e përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Reagimet ndaj këtyre deklaratave kanë ardhur si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, ndërsa njohësit e zhvillimeve politike theksojnë se qëndrimi ukrainas vijon të jetë i njëjtë dhe se rasti i Kosovës dhe i Ukrainës janë dy situata krejt të ndryshme.

Sipas analistëve, Serbia i përdor këto vizita për ta kthyer opinionin kundër Kosovës, por kjo e fundit nuk duhet të bëjë gabimin e një reagimi të ngjashëm, por të vijojë të rreshtohet përkrah vendeve evropiane.
Kosova, Ukraina dhe ‘qëllimi i vizitës’ në Beograd
Opinionisti Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, pohon se Ukraina nuk e ka njohur ndonjëherë Kosovën, por sipas tij, një njohje e tillë mund të sillte edhe probleme të caktuara.
Ai shton se përpjekja për të krahasuar rastin e Kosovës me atë të Ukrainës është plotësisht e pabazuar.
“Në vizitën e tij të parë zyrtare në Beograd, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se shteti i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mosnjohjen e Kosovës dhe se respekton integritetin territorial të Serbisë si dhe të drejtën ndërkombëtare. Në radhë të parë, njohja nga Ukraina nuk është se na hyn shumë në punë, madje mund të na krijojë telashe me një vend që ende ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo temë është ringjallur nga politikanët kosovarë për shkak të vëmendjes që Ukraina ka në mediat ndërkombëtare dhe marrëdhëniet globale, duke u përpjekur të fitojnë publicitet për çështjen e Kosovës, pa e analizuar në thellësi nëse këto raste janë të ngjashme. Krahasimi i rastit të Kosovës me Ukrainën është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe një diletantizëm i politikës sonë. Përfitimet e kësaj lidhjeje janë të dyshimta dhe analogjia është plotësisht e pambështetur. Vendosja dhe heqja e ‘përkrahjes’ kosovare, madje edhe në Shqipëri, për lirinë e Ukrainës, po të mos ishte dritëshkurtë dhe tragjikomike, do të shërbente vetëm si humor i zi”, deklaron Lepaja.
Sipas tij, vizita e Zelenskyt në Serbi nuk ishte e motivuar kundër Kosovës, por fjalët për të shërbyen për të maskuar qëllimet e vërteta të kësaj vizite.
Lepaja vlerëson se deklarata e tij nuk është e veçuar nga një vend apo popull që lufton për lirinë e vet.
“Vizita e Presidentit të Ukrainës në Beograd nuk ishte e drejtuar kundër Kosovës, dhe përmendja e Kosovës duket se ka pasur për qëllim krijimin e pluhurit mediatik dhe fshehjen e arsyeve reale të kësaj vizite, të cilat mund të jenë tregtia e armëve, prodhimi i përbashkët i armatimit dhe, në një këndvështrim më të gjerë, edhe roli i mundshëm ndërmjetësues i Serbisë në armëpushime e ndoshta në një paqe të ardhshme mes Rusisë dhe Ukrainës. Deklarata e presidentit ukrainas nuk është e para që na vjen nga një vend apo popull që përpiqet për lirinë e vet. Ngjashëm kishin deklaruar më parë edhe diplomatët palestinezë në Beograd, të cilët i zhgënjyen islamistët tanë vendorë, që i mbështesnin palestinezët jo për të drejtën bazë për liri, por për shkak se ishin besimtarë myslimanë. Në të vërtetë, politikanët palestinezë, përballë një force të madhe dhe diktatit gjeopolitik rajonal, thjesht kishin ndjekur interesat e tyre duke iu afruar Serbisë. Edhe pritshmëria jonë që Ukraina do të na njohë vetëm sepse edhe ajo lufton për liri dhe kundër Rusisë, është naive dhe një pozicionim i gabuar i politikës sonë të zhurmshme. Pavarësisht retorikës së politikanëve të një vendi, çdo popull ka të drejtën të jetë i lirë, të jetojë në paqe nga puna e tij dhe ta organizojë jetën sipas nevojave dhe interesave të veta. Gjeopolitika nuk e lejon këtë në mënyrë të barabartë në çdo cep të botës dhe për të gjithë popujt”, nënvizoi opinionisti.
Lepaja diskuton edhe sulmin rus ndaj Ukrainës, duke theksuar se edhe mes vendeve perëndimore ka dallime thelbësore mbi këtë luftë.
“Qëndrimi i Ukrainës për të mos njohur shtetin e Kosovës ka qenë i pandryshuar që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Ukraina, për shkak të kushteve të veta gjeopolitike dhe përplasjes me Rusinë, e sheh respektimin e integritetit territorial si parim themelor të politikës së jashtme. Sulmi rus në Ukrainë dhe aneksimi i disa rajoneve të saj ngjan më shumë me pretendimet serbe për Veriun e Kosovës, ndërsa nuk ka asgjë të përbashkët me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe pushtimin e pjesëve të Ukrainës nga Rusia. Mbi këtë luftë ka diferenca të thella edhe midis vendeve perëndimore. SHBA dhe Evropa kanë mosmarrëveshje thelbësore. Parimi i paprekshmërisë së kufijve, i zbatuar në rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, është parim politik e jo moral që mund e duhet të vlejë për gjithë botën, sidomos kur kemi parasysh kufijtë artificialë që janë vendosur mes popujve në ish-BRSS apo vendet e Afrikës dhe Amerikës Latine. Nëse ky parim nuk do të ishte zbatuar në Ballkan, konferenca e paqes do të shndërrohej në konferencë për territore e jo për parime dhe paqe”, shprehet Lepaja.
Sipas Lepajës, lufta në Ukrainë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë janë dy ngjarje krejtësisht të ndryshme.
Ai thekson se Perëndimi asnjëherë nuk e ka mbështetur “luftën tonë të drejtë”, por ka përkrahur popullin e Kosovës në të drejtën për të jetuar i lirë, në paqe dhe për të shprehur vullnetin e vet politik.
“A përbën kjo një qasje me standarde të dyfishta ndaj Kosovës? Jo, kjo nuk ka të bëjë fare me standardet e dyfishta. Kemi të bëjmë me një kontekst krejt tjetër gjeopolitik, madje edhe moral. Lufta në Ukrainë dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë janë krejtësisht të ndryshme. Njëra motivohet nga humanizmi, e tjetra nga pushtimi i territoreve të huaja. Pozicionimi ynë për këtë parim na ka sjellë probleme edhe me disa vende të BE-së si Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja. Ne, të zhytur në folklorin politik dhe nevojat banale të politikës sonë lokale, nuk kemi denjuar as të pranojmë arsyet e vërteta të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë. NATO nuk erdhi në Kosovë për të mbështetur luftën tonë të drejtë, por ndërhyri për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe krijoi kushtet që kosovarët të shpreheshin të lirë për të ardhmen e tyre politike. Pikërisht në këtë pikë është përqendruar e gjithë diplomacia dinake serbe, duke u përpjekur ta kthejë debatin në çështje territoresh apo nëse është e drejtë lufta që prek kufijtë e një vendi sovran. Perëndimi asnjëherë nuk e ka përkrahur ‘luftën tonë të drejtë’, por e ka përkrahur popullin e Kosovës në të drejtën për të jetuar i lirë, në paqe dhe për të deklaruar vullnetin e vet politik”, shton opinionisti.
Në përfundim, ai thekson se ka deklarata që bëhen për qëllime të brendshme paraelektorale.

“Çfarë mesazhi i dërgon kjo deklaratë Beogradit dhe sa mund të përdoret nga Serbia për të forcuar pozicionin e saj kundër Kosovës në skenën ndërkombëtare? Aspak. Kërkesat e Serbisë që gjithçka të kushtëzohet me Kosovën dëshmojnë se sa të dëshpëruara janë pozitat e saj. Prandaj, mendoj se ne nuk kemi nevojë ta përjetojmë çdo deklaratë mediatike që bëjnë mysafirët e z. Vuçiç. Fati i popujve nuk vendoset në konferenca për media. Këto janë deklarata që presidenti serb me gjasë i ka kërkuar për nevoja të brendshme, paraelektorale. E ngjashme dhe e motivuar njësoj është edhe deklarata e ministres Paunoviç, si dhe ajo gjenocidale e presidentit serb për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit. Ne nuk duhet të bëhemi qesharakë duke ndërruar qëndrimet tona parimore në mbështetje të lirisë së popujve dhe vendeve, vetëm sepse liderët aktualë për nevoja të politikës së ditës japin deklarata boshe. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës që nga viti 2008. A duhet Kosova ta kundërshtojë më fuqishëm këtë qasje të Ukrainës? Kosova duhet të vijojë komunikimin me institucionet dhe zyrtarët e Ukrainës, si dhe me vendet e tjera që nuk e kanë njohur ende. Ukraina ka probleme të tjera dhe ne nuk jemi pjesë e luftës atje. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie edhe me vendet që nuk na kanë njohur, qoftë edhe kur këto duken të pashpresa. E ardhmja e Kosovës ndërtohet këtu, jo në Ukrainë, dhe në marrëdhëniet konstruktive mes nesh dhe komuniteteve të tjera në vend, përfshirë edhe komunitetin serb”, përmbyll analizën Lepaja.
Dallimet Kosovë-Ukrainë dhe rruga që duhet të ndjekë Kosova
Edhe analisti Eduard Gashi thekson se çështja kryesore është se Kosova nuk është Krimeja, Donetsku apo Luhansku.
Ai shton se nuk mund të vihet shenjë barazimi ligjor midis Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara e aneksuara nga Rusia.
“Deklarata e Volodymyr Zelenskyt në Beograd është e kuptueshme nga pikëpamja e interesit të ngushtë shtetëror të Ukrainës, por është shumë më e vështirë të mbrohet si argument i qëndrueshëm i së drejtës ndërkombëtare. Zelensky rikonfirmoi se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin për Kosovën dhe, duke iu referuar Serbisë, theksoi respektimin e integritetit territorial dhe të së drejtës ndërkombëtare. Problemi themelor është: Kosova nuk është Krimeja, Donetsku apo Luhansku. Barazimi i nënkuptuar i këtyre rasteve është juridikisht dhe historikisht i mangët. Kosova doli nga shpërbërja e Jugosllavisë, pas heqjes së autonomisë, represionit sistematik, luftës së viteve 1998–99, ndërhyrjes së NATO-s dhe më pas gati nëntë vjet administrimi ndërkombëtar nga OKB-ja. Mbi të gjitha, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Prandaj nuk mund të vendoset shenjë barazimi juridik midis Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara e aneksuara nga Rusia”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
Sipas tij, kemi më shumë një standard të dyfishtë politik sesa një kontradiktë të pastër ligjore.
“Këtu lind edhe problemi i standardit të dyfishtë politik. Ukraina kërkon me të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare që rasti i saj të gjykohet në bazë të fakteve konkrete, historisë, agresionit të jashtëm dhe normave ndërkombëtare. Por Kosovës praktikisht i mohohet ky individualizim: ajo futet në formulën e përgjithshme të ‘integritetit territorial të Serbisë’, sikur historia politike dhe juridike e Kosovës të mos kishte ndodhur. Megjithatë, duhet të jemi të saktë: ky standard i dyfishtë është më shumë politik sesa një kontradiktë e pastër juridike. Mosnjohja e një shteti është vendim sovran i një shteti tjetër. Ukraina nuk është juridikisht e detyruar ta njohë Kosovën. Por nëse Kievi e justifikon mosnjohjen duke u mbështetur vazhdimisht në ‘integritetin territorial’ dhe ‘të drejtën ndërkombëtare’, atëherë Kosova ka të drejtë t’i kërkojë Ukrainës të shpjegojë pse precedenti juridik, administrimi i OKB-së dhe opinioni i GJND-së trajtohen sikur të mos ekzistonin”, nënvizon analisti.
Deklaratën e Zelenskyt, Gashi e cilëson si një dhuratë diplomatike për Serbinë, ndërsa thotë se Beogradi po zhvillon një lojë shumë më pragmatike nga ç’duket.
“Fituesi real politik është Beogradi! Për Serbinë, kjo deklaratë është një dhuratë diplomatike. Beogradi tani mund të pohojë: edhe shteti që sot e ndërton gjithë politikën e jashtme mbi mbrojtjen e integritetit territorial mbështet integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht këtë narrativë Serbia synon të ndërtojë ndërkombëtarisht; Ministria e Jashtme serbe vazhdon ta paraqesë pavarësinë e Kosovës si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Dhe këtu Beogradi po luan një lojë shumë më pragmatike nga sa duket. Serbia nuk ka bërë kthesën strategjike që Perëndimi kërkon prej saj ndaj Rusisë, por njëkohësisht po ndërton ura me Ukrainën. Vizita solli bisedime për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe një marrëveshje të mundshme të tregtisë së lirë. Madje Serbia është rreshtuar me disa masa të BE-së kundër njohjes, pushtimit ose aneksimit ilegal nga Rusia të territoreve ukrainase. Pra, Vuçiq po synon të arrijë diçka shumë të çmuar: afrimin me Perëndimin dhe Ukrainën pa paguar çmimin e plotë të shkëputjes nga Rusia, ndërsa siguron nga Kievi mbështetje për pozicionin serb ndaj Kosovës. Kjo është diplomaci transaksionale dhe, nga këndvështrimi serb, mjaft efektive”, thekson Gashi.
Sipas Gashit, Kosova nuk duhet të bjerë në grackën e një reagimi emocional, por duhet të qëndrojë fuqimisht në kampin euroatlantik dhe kundër agresionit rus.
“Gabimi që Kosova nuk duhet ta bëjë! Përgjigjja e Kosovës nuk duhet të jetë: ‘Atëherë as ne nuk e mbështesim Ukrainën.’ Kjo do të ishte emocionalisht e kuptueshme, por strategjikisht e gabuar. Kosova duhet të mbetet qartësisht në kampin euroatlantik dhe kundër agresionit rus. NATO vijon ta konsiderojë mbrojtjen e Ukrainës si ushtrim të së drejtës së saj për vetëmbrojtje dhe mbështet sovranitetin e saj. Pikërisht këtu qëndron argumenti më i fortë kosovar: Ne e mbështesim integritetin territorial të Ukrainës jo sepse Ukraina na njeh, por sepse agresioni rus është i gabuar. Por të njëjtin respekt ndaj fakteve dhe së drejtës ndërkombëtare e kërkojmë kur Ukraina flet për Kosovën. Kjo e vendos Kosovën moralisht dhe diplomatikisht në një pozitë shumë më të fortë. Prandaj Prishtina duhet ta kundërshtojë Kievin më fuqishëm, por jo më armiqësisht. Kërkohet një ofensivë diplomatike: kontakt i drejtpërdrejtë me Presidencën dhe MPJ-në ukrainase, prezantim juridik i rastit të Kosovës, koordinim me Shqipërinë dhe aleatët kryesorë perëndimorë dhe kërkesë që Ukraina të paktën të mos përdorë formulime që e paraqesin Kosovën thjesht si çështje të integritetit territorial serb. Shqipëria tashmë reagoi duke ritheksuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës pas deklaratave të Zelenskyt. Objektivi afatshkurtër nuk duhet të jetë domosdoshmërisht: ‘Ukraina duhet ta njohë Kosovën nesër.’ Objektivi realist duhet të jetë: ta nxjerrim Ukrainën nga pozicioni aktiv në favor të narrativës serbe drejt neutralitetit konstruktiv, e më pas, kur rrethanat politike ta lejojnë, drejt njohjes”, shton Gashi.
Në fund, sipas Gashit, çështja nuk është thjesht që Ukraina nuk e njeh Kosovën, por që Serbia po synon ta përdorë Ukrainën për të legjitimuar ndërkombëtarisht tezën se Kosova është analoge me territoret separatiste ukrainase.
“Kosova nuk duhet të reagojë me inat ndaj Ukrainës; duhet të reagojë me shtetësi. Sepse problemi më serioz nuk është vetëm se Ukraina nuk e njeh Kosovën. Problemi është që Serbia po përpiqet ta përdorë Ukrainën për të legjitimuar ndërkombëtarisht tezën se Kosova është analoge me territoret separatiste të Ukrainës. Kjo analogji duhet thyer në mënyrë sistematike.
Mesazhi i Prishtinës duhet të jetë i thjeshtë: Kosova nuk kërkon standard të veçantë. Kërkon që historia, faktet dhe e drejta ndërkombëtare të zbatohen me të njëjtin seriozitet për Kosovën me të cilin Ukraina kërkon që ato të zbatohen për veten. Sovraniteti nuk mund të mbrohet me parime universale në Kyiv dhe me interpretime selektive në Beograd. Dhe mbi të gjitha, Kosova duhet ta kuptojë sinjalin strategjik: Serbia po përpiqet gradualisht t’i afrohet Perëndimit pa hequr dorë nga Rusia dhe duke e mbajtur Kosovën si interes kombëtar konstant. Prishtina nuk mund t’ia lejojë vetes të bëjë të kundërtën — të izolohet nga BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja për shkak të betejave të brendshme politike. Nëse Beogradi zvogëlon distancën me Perëndimin ndërsa Prishtina e rrit atë, raporti diplomatik mund të ndryshojë në dëm të Kosovës edhe pa lëvizur asnjë kufi në hartë”, përfundon Gashi për “Bota sot”.
