Një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.4 ballë goditi Kolumbinë mëngjesin e së hënës, duke lënë pas dëme të mëdha dhe duke detyruar ekipet e shpëtimit të punojnë kundër kohës për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja.
Sipas përllogaritjes së CNN, të paktën 254 persona kanë humbur jetën. Afro 2,600 të tjerë janë plagosur dhe rreth 200 rezultojnë të zhdukur, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i vendit ka regjistruar më shumë se 70 lëkundje pasuese.
Të lidhura
None found
Megjithatë, shpresa vazhdon të mbahet gjallë nga disa operacione të suksesshme. Në Cali, një grua u shpëtua pothuajse 30 orë pas tërmetit, ndërsa nga rrënojat u nxor i gjallë edhe një foshnjë.
Një nga zonat më të prekura është Cali, ku Efrain Gallego po pret lajme për vëllain e tij 80-vjeçar. I moshuari dhe bashkëshortja e tij mbetën të bllokuar pas shembjes së ndërtesës Torres del Limonar.
Edhe pse orët po kalojnë, Gallego vazhdon të besojë se vëllai i tij mund të nxirret i gjallë.
“Ndjen ankth. Sa herë që ka një njoftim se dikush është gjallë, shpresa se do ta gjejmë rilind”, u shpreh ai i emocionuar, ndërsa zëri i dridhej kur fliste për të vëllanë.
Ndërtesa Torres del Limonar, e vendosur në lagjen Capri, është kthyer në një prej pamjeve simbol të katastrofës në Cali. Ky është qyteti i tretë më i populluar i Kolumbisë dhe numëron më shumë se dy milionë banorë.
Deri të hënën, në atë vend ngrihej një godinë katërkatëshe me dhjetëra apartamente. Pas tërmetit, aty ka mbetur vetëm një grumbull i madh betoni, mes të cilit dallohen dyshekë, mobilje dhe sende personale të banorëve.
Autoritetet ende nuk e dinë me saktësi se sa njerëz ndodheshin brenda godinës në çastin kur ajo u shemb.
Mbi rrënoja po punojnë pandërprerë vullnetarë dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës. Sa herë që arrijnë të depërtojnë më thellë dhe dyshojnë se mund të jenë pranë një të mbijetuari, ata kërkojnë heshtje të plotë.
“Heshtje! Ne jemi zjarrfikës. Nëse na dëgjoni, bërtisni ose bëni ndonjë zhurmë”, dëgjohen të thërrasin punonjësit e shpëtimit.
Në ato çaste, familjarët e mbledhur pranë zonës rifitojnë shpresën, por më pas përballen me sekonda të rënda pritjeje, ndërsa përpiqen të dëgjojnë nëse vjen ndonjë përgjigje nga poshtë rrënojave.
Mbi 100 persona ishin grumbulluar rreth Torres del Limonar në pritje të informacioneve. Kryetari i bashkisë së Kalit, Alejandro Ender, deklaroi se deri të hënën në mbrëmje vlerësohej se rreth 25 njerëz ndodheshin të bllokuar në mbetjet e ndërtesës.
Një pjesëtar i ekipeve të shpëtimit tha se prej andej ishin nxjerrë rreth dhjetë persona. Mediat vendase raportuan ndërkohë për të paktën gjashtë të mbijetuar, mes tyre edhe një foshnjë disamuajshe.
“Ajo që mund t’ju them është se në këtë kohë të paktën dy persona janë gjetur gjallë. Po hapen tunele për t’i nxjerrë. Njëri duhet të lirohet nga këmba”, deklaroi shpëtimtari James Velasco.
Mes skenave të shkatërrimit, një tjetër moment shprese erdhi kur një grua u nxor e gjallë nga mbetjet e një ndërtese në Cali, gati 30 orë pas goditjes sizmike.
Në një video dramatike u dokumentua gjithashtu çasti kur një foshnjë u nxor e gjallë nga rrënojat e një pallati në qytet.
Kërkimet po zhvillohen pa pushim, pasi ekipet janë të vetëdijshme se mundësitë për të gjetur persona të gjallë zvogëlohen me çdo orë që kalon.
Gjendja në Cali vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Sipas kryebashkiakut Alejandro Ender, në qytet kanë vdekur të paktën 95 persona.
Të martën, Ender raportoi se 239 njerëz vazhdonin të ishin të bllokuar, 949 kishin mbetur të plagosur dhe 45 godina ishin shembur pjesërisht ose tërësisht.
Në të gjithë qytetin janë raportuar më shumë se 50 ndërtesa të dëmtuara.
Shembje pati edhe në katet e sipërme të një spitali, disa prej të cilave përdoreshin nga njësitë pediatrike. Si pasojë, pacientë të ndryshëm mbetën të bllokuar.
Në lagjen Calima, katër fëmijë humbën jetën pasi një pjesë e shkollës Gimnasio Calima u shemb.
Fëmijë të tjerë pësuan plagë të rënda. Kryetari i bashkisë së distriktit, Antonio Cadavid, bëri të ditur se gjithsej 30 prej tyre u transportuan në qendra mjekësore.
Për shkak të rrezikut të plaçkitjeve, autoritetet vendosën shtetrrethim nga ora 8 e mbrëmjes, sipas kohës lokale, deri në orën 6 të mëngjesit të së mërkurës.
Mes viktimave është edhe Mateo Valencia, djali gjashtëvjeçar i Jairson Leonel Valencia, kryetar i bashkisë së qytetit bregdetar Bahia Solano.
Gjashtëvjeçari humbi jetën kur banesa e tij u shemb.
“Vdekja e Mateos e mbush institucionin tonë dhe të gjithë komunën e Bahia Solano me trishtim të thellë”, deklaroi qeveria lokale.
Të hënën në mbrëmje, dhjetëra qytetarë morën pjesë në një vigjilje me qirinj, ku i dhanë lamtumirën Mateos dhe u lutën për familjen e tij.
Në rajonin Choco, ku banonte fëmija, janë vrarë të paktën 13 persona të tjerë.
Guvernatorja e Chocos, Nubia Carolina Córdoba-Kuri, shprehu mbështetjen e saj duke deklaruar: “Ne qëndrojmë me kryetarin e bashkisë dhe të gjithë familjen e tij në këtë moment të dhimbshëm”.
Edhe ish-Ministri i Jashtëm dhe ish-Guvernatori i Chocos, Luis Gilberto Murillo, reagoi me një mesazh solidariteti. Ai i uroi familjes dhe komunitetit vendas “forcë, ngushëllim dhe paqe për t’u përballur me këtë humbje të pariparueshme”.
Një ditë pas katastrofës, mijëra njerëz duhet të përballen jo vetëm me humbjen e familjarëve dhe pronave, por edhe me frikën e vazhdueshme nga lëkundjet pasuese.
Shumë banorë të Cali dhe Pereira e kaluan natën mes së hënës dhe së martës në ambiente të hapura. Disa kishin humbur shtëpitë, ndërsa të tjerë druheshin se ndërtesat mund të shembeshin nga goditje të tjera.
Që nga tërmeti 7.4 ballë, në të gjithë Kolumbinë janë evidentuar më shumë se 70 pasgoditje. Herët të martën u regjistruan dy lëkundje me magnitudë 3.6, njëra në San José del Palmar dhe tjetra në Santander.
Goditja kryesore ndodhi të hënën në orën 07:34 sipas kohës lokale, ose 12:34 GMT. Lëkundjet u ndien në një territor të gjerë dhe qindra kilometra larg në pjesën perëndimore të Kolumbisë.
Në Pereira, departamenti i zjarrfikësve raportoi 101 viktima. Qindra vullnetarë dhe shpëtimtarë po vazhdonin punën mes rrënojave.
Për të mos ndërprerë operacionet, pranë zonës së shembjeve u dërguan në një moment një vinç dhe një cisternë me karburant.
Autoritetet shpallën gjithashtu një ditë pa makina, me qëllim lehtësimin e kërkimeve dhe të ndërhyrjeve të shpëtimit, ndërsa qytetarëve iu kërkua ta respektonin këtë masë.
Një banor nga lagjja Parque Industrial, pranë aeroportit të Pereira, tregoi situatën e krijuar në orët e para pas tërmetit.
“Është e pamundur të lëvizësh në qendër të qytetit. Në sheshin Bolivar, të paktën një ndërtesë është shembur. Ka edhe struktura ku autobusë dhe kamionë janë bllokuar dhe njerëzit kanë frikë se edhe ato mund të shemben”, tha ai.
Banori e përshkroi gjendjen e përgjithshme me fjalët: “Jemi të gjithë në gjendje shoku. Ishte vërtet e tmerrshme.”
Dëme të rënda në infrastrukturë janë regjistruar edhe në La Italia, zonë që ndodhet në epiqendrën e tërmetit të fuqishëm. Banorët atje po përballen gjithashtu me mungesë uji dhe energjie elektrike.
Drejtuesi i komunitetit lokal, Jason Guevara, tha se edhe një ditë pas lëkundjeve, në zonë vazhdonin problemet e mëdha strukturore dhe ndërprerjet e shërbimeve bazë.
Në Manizales, kryebashkiaku Jorge Eduardo Rojas njoftoi pesë viktima dhe 60 ndërtesa të shembura plotësisht ose pjesërisht.
Institucionet komunale kanë marrë mijëra kërkesa nga qytetarët për kontrollin e banesave të dëmtuara. Vlerësohet se përfundimi i këtij procesi do të kërkojë të paktën një muaj.
Rojas u kërkoi banorëve të mos shpërndajnë letra zinxhir apo publikime të ardhura nga burime të panjohura në rrjetet sociale. Ai paralajmëroi se materiale të tilla mund të përmbajnë “informacion të rremë ose të paverifikuar” dhe të shtojnë më tej shqetësimin.
Tërmeti shkaktoi edhe një zjarr brenda një burgu në Buenaventura, pranë Cali, në pjesën perëndimore të Kolumbisë.
Sipas guvernatorit të Valle del Cauca, Dilian Francisca Toro, të paktën katër persona humbën jetën dhe dy të tjerë u dërguan për trajtim në spital.
Presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Esperanza, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin.
Gjatë një deklarate të martën nga Pereira, një prej qyteteve të goditura më rëndë, ai bëri të ditur se afro 2,600 persona ishin plagosur dhe rreth 200 vazhdonin të konsideroheshin të zhdukur.
Mbi 1,100 shtëpi janë shkatërruar tërësisht, ndërsa më shumë se 8,000 banesa të tjera kanë pësuar dëmtime.
Gjatë një turneu në qytetet e rajonit ku kultivohet kafeja, presidenti njoftoi edhe mbështetje financiare për personat e prekur nga katastrofa.
Shifra e viktimave vazhdon të jetë e paqartë, pasi bilancet zyrtare dhe ato lokale nuk përputhen. Numri zyrtar mbeti 181, ndërsa përllogaritja e përbashkët e zyrtarëve vendorë e ngriti totalin në mbi 240.
Në bilancin e CNN, numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në të paktën 254. Ndërkohë, të dhënat jozyrtare të mbështetura në një platformë online, ku qytetarët raportojnë familjarët e humbur, tregojnë se rreth 4,000 njerëz mund të jenë ende të zhdukur.
Pas katastrofës, komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për t’i ardhur në ndihmë Kolumbisë.
Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se ai “shpreh solidaritetin e tij me popullin dhe qeverinë e Kolumbisë”. Kombet e Bashkuara po punojnë gjithashtu për të ndihmuar reagimin e qeverisë ndaj fatkeqësisë.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Álvarez, njoftoi se 164 shtetas spanjollë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Deri tani nuk ka njoftime për qytetarë spanjollë mes viktimave ose të plagosurve.
Administrata Trump, e cila mbështeti Abelardo de la Esperanza gjatë zgjedhjeve presidenciale që ai fitoi në fillim të këtij viti, ka premtuar 15.5 milionë dollarë ndihmë financiare për Kolumbinë.
Edhe Ekuadori, Brazili, El Salvadori dhe Venezuela kanë ofruar ndihmë për vendin e goditur nga tërmeti.
