Të hënën, mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë, është vërejtur një automjet i Policisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
Prania e automjetit policor vjen pasi KFOR-i bëri të ditur se ka filluar procesin gradual të tranzicionit të pranisë së përhershme nga ura. Misioni e ka lidhur këtë hap me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe me sistemimin më efikas të forcave të tij.
Megjithëse më herët ishte raportuar se kjo çështje po diskutohej prej një kohe të gjatë, gjatë muajve të fundit ndryshimi nuk është trajtuar gjerësisht në publik.
Pas këtyre zhvillimeve, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka theksuar se Berlini vazhdon të jetë i angazhuar për kontributin në KFOR dhe për zbatimin e mandatit të misionit, i cili synon garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
“Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj kontributit të saj në KFOR, të mandatuar nga Bundestagu, si dhe ndaj misionit të KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Gjermanisë.
