Arne Slot ka bërë të qartë se nuk do të marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës, pasi në këtë fazë synon ta vijojë karrierën në futbollin e klubeve.
Të lidhura
None found
Vendimin e tij, ish-trajneri i Liverpoolit e komunikoi nëpërmjet një deklarate të botuar nga Voetbal International. Ai sqaroi gjithashtu raportimet sipas të cilave ishte larguar nga procesi pas negociatave të zgjatura me Federatën Holandeze të Futbollit.
Slot deklaroi se gjatë javëve të fundit, dhe sidomos ditëve të fundit, kishin qarkulluar versione të ndryshme rreth postit të trajnerit të Kombëtares së Holandës. Sipas këtyre raportimeve, ai ishte tërhequr pas bisedimeve të gjata, ku pretendohej se ishin diskutuar edhe paga dhe kohëzgjatja e kontratës.
Ai i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se palët nuk kishin mbërritur asnjëherë në atë fazë të negociatave.
Në shpjegimin e tij, Slot tha se në këtë moment të karrierës dëshiron të jetë çdo ditë në fushën stërvitore përkrah lojtarëve të vet, diçka që nuk mund të realizohet në të njëjtën formë kur drejton një kombëtare.
Ish-trajneri i Liverpoolit shprehu respekt të madh për Kombëtaren dhe KNVB-në, ndërsa vlerësoi profesionalizmin me të cilin u zhvilluan bisedimet gjatë asaj jave. Megjithatë, ai beson se futbolli i klubeve vazhdon të ketë shumë për t’i ofruar.
Slot nënvizoi se do të ishte një nder i jashtëzakonshëm që në të ardhmen ta përfaqësonte vendin e tij si trajner i kombëtares, por shtoi se ky nuk ishte çasti i përshtatshëm për të.
Më herët, ai kishte refuzuar edhe një propozim për të marrë drejtimin e një klubi në Ligën Profesionale të Arabisë Saudite, duke sinjalizuar se dëshiron ta vazhdojë rrugëtimin e tij profesional në Evropë.
Për momentin, ish-trajneri i Liverpoolit nuk lidhet me ndonjë detyrë tjetër. Gjithsesi, objektivi i tij duket i qartë: të mbetet në futbollin e klubeve dhe të presë ofertën e duhur për t’u rikthyer në pankinë.
