Bilanci i sulmit me dron në republikën ruse të Tatarstanit ka shkuar në 13 viktima, ndërsa 75 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, njoftuan autoritetet ruse. Mes të vrarëve raportohet edhe një fëmijë.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi në qytetin e Nizhnekamskut, rreth 1,100 kilometra larg kufirit me Ukrainën, dhe konsiderohet një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj territorit rus që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.
Forcat e Armatosura të Ukrainës bënë të ditur se objektivi i goditur ishte një rafineri nafte në Nizhnekamsk. Sipas kompanisë ukrainase të teknologjisë së mbrojtjes FirePoint, në operacion u përdorën dronë të modelit FP-1.
Burime lokale raportuan se sulmi nisi gjatë natës dhe vazhdoi për disa orë, deri në mëngjes. Objektet e industrisë së naftës në qytet ishin shënjestruar më parë, më 12 qershor.
Video të verifikuara, të shpërndara në rrjetet sociale, shfaqin kolona të dendura tymi dhe flakë mbi qytet, ndërsa në sfond dëgjohen sirenat e alarmit ajror.
Moska pranoi se objektet industriale ishin pjesë e objektivave të sulmit, por deklaroi se goditje kishte edhe në zona të tjera.
Komiteti Hetimor i Rusisë tha se në mesin e të prekurve kishte edhe civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në operacione ushtarake. BBC nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.
Kreu i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, konfirmoi sulmin dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave. Kryebashkiaku i Nizhnekamskut, Radmir Belayev, e përshkroi ngjarjen si një “dhimbje të madhe” për komunitetin.
