Një shtetase gjermane 51 vjeçe është vënë në pranga në pikën kufitare të Kakavijës, pasi në automjetin që drejtonte u gjetën një armë zjarri pistoletë me municion dhe 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Operacioni, i koduar “Risku 2”, u zhvillua nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër. Automjeti së bashku me rulotin, në drejtimin e shtetases gjermane A. S., fillimisht u kontrolluan në skaner dhe më pas iu nënshtruan një verifikimi të imtësishëm në vijën e dytë, në dalje të pikës kufitare.
Të lidhura
None found
Gjatë kontrollit të detajuar, policia gjeti një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municionin përkatës. Në gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike u zbulua gjithashtu lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 141 gramë.
Pas veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë A. S., 51 vjeçe, e cila drejtonte automjetin.
Si prova materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë me mulli, municionet, 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, automjeti së bashku me rulotin dhe një celular.
Materialet procedurale do t’i përcillen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për vijimin e veprimeve lidhur me veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”.




