Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike të dhënat zyrtare për situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 14:00 janë evidentuar 10 vatra, pesë prej të cilave vijojnë të jenë aktive, ndërsa katër të tjera po monitorohen.
Për përballimin e situatës janë vënë në dispozicion 21 automjete zjarrfikëse dhe 153 forca operacionale. Operacionet po mbështeten gjithashtu nga 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Të lidhura
None found
Në zonën e Dajtit situata vazhdon të ndiqet nga afër. Vatra në Cikallesh të bashkisë Kavajë është shuar tërësisht dhe tashmë mbahet nën vëzhgim. Në Priskë të Madhe po punohet me katër automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore, ndërsa zonat e banuara nuk janë në rrezik.
Në Mallakastër janë shuar plotësisht vatrat në Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen dhe aktualisht po monitorohen. Nën kontroll të plotë është vënë edhe zjarri në Drenie, në bashkinë Patos, ku po vijon mbikëqyrja e situatës.
Në Abaze të Krujës, zjarri mbetet aktiv, por pa kërcënuar zonat e banuara. Ndërkohë, në Krastë flakët kanë fituar intensitet dhe janë shtrirë në një masiv pyjor. Në operacion janë angazhuar forcat vendore, 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter i Forcës Ajrore. As në këtë zonë banesat nuk rrezikohen.
Ndërhyrja e forcave vendore, së bashku me 35 efektivë të FA-së, mundësoi që zjarri në Vilëz të bashkisë Kurbin të shuhej plotësisht në orën 13:00.
Vatra aktive ka edhe në malin e Nemëçkës, në bashkinë Përmet, si dhe në Goraj–Budishë të bashkisë Malësi e Madhe. Të dy zjarret ndodhen në lartësi të mëdha dhe në terrene ku ndërhyrja është e vështirë, por nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.
Operacionet vazhdojnë në të gjitha vatrat që mbeten aktive dhe, deri tani, nuk është raportuar ndonjë kërcënim i drejtpërdrejtë për vendbanimet. AKMC-ja dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile po vijojnë monitorimin dhe bashkërendimin e punës në të gjithë territorin.
