Takimi i fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk solli marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Të lidhura
None found
Bisedimet u zhvilluan pak përpara seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe u mbyllën pa ndonjë dakordim konkret. Pas takimit, Kurti deklaroi se “nuk ka marrëveshje”. Ky zhvillim ka thelluar pasigurinë politike në vend, ndërsa nuk dihet nëse LVV-ja dhe LDK-ja kanë ende mundësi të arrijnë kompromis.
Dështimi i radhës ngre pikëpyetje nëse negociatat mes dy partive kanë hyrë në një etapë kritike, nëse mungesa e konsensusit politik përbën pengesën kryesore për ngritjen e institucioneve dhe çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën vazhdimi i këtij ngërçi.
Duke folur për “Bota sot”, profesori Enver Bytyçi vlerësoi se çështja nuk kufizohet vetëm te mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së. Sipas tij, një problem tjetër i rëndësishëm janë përçarjet e brendshme në partinë e drejtuar nga Lumir Abdixhiku.

Bytyçi tha se takimi i Kurtit me përfaqësuesit e LDK-së nxori në pah ekzistencën e interesave të ndryshme brenda kësaj partie, pasi jo të gjithë pjesëmarrësit kishin shkuar në bisedime me të njëjtin synim.
“Në takimin e radhës me shefin e mazhorancës, Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës u përfaqësua nga kryetari Lumir Abdixhiku, nënkryetari Lutfi Haziri dhe kryetarja në hije, Vjosa Osmani. Secili prej tyre shkoi për llogarinë e vet personale dhe jo për atë të partisë që pretendojnë se përfaqësojnë. Lumiri duhet ta ketë interes bisedimin dhe arritjen e një konsensusi për objektivin kryesor, që është formimi i institucioneve shtetërore. Ndërsa Vjosa dhe Luta kanë marrë pjesë që, secili sipas mënyrës së vet, të kërkojnë postin e kryetarit të shtetit. Ata e shoqëruan kryetarin de jure, sepse nuk kanë besim tek ai”, deklaroi profesori.
Ai ngriti gjithashtu çështjen nëse LDK-ja kishte përgatitur, përpara takimit, një platformë të përcaktuar për negociatat me Vetëvendosjen dhe për kushtet e një bashkëqeverisjeje të mundshme.
“Përpara zhvillimit të këtij takimi, publiku nuk kishte dijeni nëse Lidhja Demokratike kishte hartuar një platformë konkrete për bisedimet dhe konsensusin që do të kërkonte në to. Asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë parimesh ka vendosur LDK-ja si kushte për të bashkëqeverisur me Kurtin. Në publik, këto dy parti njihen si forca shumë të ndryshme për sa u përket programeve dhe alternativave politike. LDK-ja është konservatore, ndërsa LVV-ja socialdemokrate, domethënë liberale. Opinioni publik duhej të informohej për kërkesat programore të LDK-së ndaj një bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen. Nuk njihet asnjë kërkesë”, u shpreh Bytyçi.
Në vlerësimin e profesorit, mungesa e një platforme të përcaktuar krijon perceptimin se bisedimet po zhvillohen për interesa individuale dhe jo për ngritjen e institucioneve të vendit.
“Kjo nënkupton se tre përfaqësuesit e ish-partisë së Rugovës shkuan në takimin e së martës për pazare dhe jo për interesat e Kosovës. Një zhvillim i tillë ishte i pritshëm, sepse LDK-ja ka qenë, është dhe vazhdon të jetë e përçarë. Përçarjen e dëshmojnë 172 votat me të cilat zoti Abdixhiku u rizgjodh kryetar i partisë, pasi 152 të tjera ishin kundër. Është e vështirë që kundërshtarët t’i bashkohen alternativës së kryetarit të rizgjedhur. Kjo situatë e ka dobësuar zotin Abdixhiku edhe përballë mbështetësve të tij. Ata e shohin dobësinë e kryetarit dhe mund t’i ushtrojnë lehtësisht presion më të madh. Ky presion vjen edhe sepse shumë prej tyre e votuan për interesat e veta. Këto interesa individuale nuk lidhen as me programin e Lidhjes Demokratike dhe as me Kosovën, por me postet që mund të sigurojnë nga një marrëveshje e mundshme me Kurtin”, deklaroi ai.
Bytyçi foli edhe për pengesat që mund të dalin gjatë përpjekjeve për ndërtimin e një koalicioni të qëndrueshëm ndërmjet LVV-së dhe LDK-së. Ai theksoi se ndasitë e brendshme në LDK e zvogëlojnë mundësinë për një dakordim afatgjatë.
“Bisedimet kishin nisur që përpara mbajtjes së Kuvendit të LDK-së. Ata që votuan Abdixhikun, në mënyrë automatike e mbështetën bashkëqeverisjen me LVV-në, ndërsa ata që votuan kundër tij kundërshtojnë edhe këtë bashkëqeverisje. Në rrethana të tilla, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm mes këtyre dy partive është shumë i vështirë. Mbështetësit e bashkëqeverisjes bëjnë llogaritë për pjesën e tortës që do të marrin në këtë koalicion, kurse kundërshtarët shtojnë trysninë për të penguar arritjen e një konsensusi. Në këtë mënyrë, Abdixhiku gjendet mes dy zjarreve: mes ‘besnikëve’ që kërkojnë pushtet e karrige dhe kundërshtarëve të shumtë brenda partisë. Edhe pse interesi i tij personal është të bashkëqeverisë me LVV-në, me synimin për të konsoliduar pozitën te shumica e dobët e përkrahësve të vet, ai nuk e ka fuqinë për të vendosur. E pengojnë ata që kërkojnë poste, përfshirë edhe personat që synojnë postin e presidentit. Duket se këtë detyrë nuk e kërkon vetëm Vjosa Osmani, por edhe Lutfi Haziri. Pa e zgjidhur fillimisht këtë konflikt të brendshëm, LDK-ja nuk ka mundësi ta zgjidhë ngërçin e formimit të institucioneve”, tha profesori.
Sipas tij, pranimi i përsëritur i ftesave për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me Kurtin e ka ekspozuar LDK-në ndaj një presioni të fortë nga publiku.
“Fakti që ata kanë pranuar disa herë të takohen dhe të bisedojnë me zotin Kurti e vendos LDK-në në një situatë të vështirë. Publiku e kupton se LVV-ja, si fituese, është e gatshme të hyjë në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike, ndërsa kjo e fundit nuk ka konsensus për një gjë të tillë. Për këtë arsye, LDK-ja është vënë përsëri në shënjestër si përgjegjëse. Qytetarët do ta interpretojnë mungesën e gatishmërisë së saj si përpjekje për të siguruar pozita në pushtet dhe jo si vullnet për t’i dhënë vendit institucione të qëndrueshme”, u shpreh Bytyçi.
Profesori komentoi edhe ftesat e Kurtit drejtuar dy partive të tjera shqiptare parlamentare, PDK-së dhe AAK-së, duke nënvizuar se pozicionet e tyre për një bashkëqeverisje me LVV-në tashmë njihen.
“Kurti ka ftuar për bisedime edhe PDK-në dhe AAK-në, dy partitë e tjera shqiptare në Parlament. Qëndrimet e tyre janë të njohura dhe shumica janë kundër bashkëqeverisjes me zotin Kurti. Nuk mund të them nëse Serbia ka ndonjë rol në këtë çështje, sigurisht përmes Richard Grennell, apo jo. Megjithatë, këtë herë Abdixhiku u kritikua nga batonët prej pozicioneve të Grennellit, për faktin se iu përgjigj ftesës së zotit Kurti”, deklaroi ai.
Në përfundim, Bytyçi theksoi se përparësi duhet të ketë formimi i institucioneve të reja dhe kapërcimi i krizës politike.
“Ajo që ka rëndësi është ngritja e institucioneve. Seanca plenare nis të enjten. Nuk besoj se gjatë kësaj jave do të votohet qeveria e re. Nesër mund të zgjidhen vetëm kryesia dhe kryetari i parlamentit. Për rrjedhojë, duket se e shtuna dhe e diela do të shfrytëzohen për bisedime të tjera. Këtë herë Kosova duhet patjetër të ketë presidentin dhe qeverinë e re. Nëse kjo do të ndodhë, mbetet për t’u parë. Megjithatë, e marta na tregoi se procesi nuk është i lehtë. Mungon konsensusi, ndonëse ai mund të arrihet brenda një minute nëse plotësohen dëshirat personale të politikanëve. Kjo është e turpshme”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.
