Negociatat mes Real Madridit dhe Vinicius Juniorit për rinovimin e kontratës vazhdojnë pa marrëveshje, duke e lënë ende të hapur çështjen e së ardhmes së sulmuesit brazilian.
Të lidhura
None found
Raportimet nga Spanja bëjnë të ditur se palët janë në bisedime prej afro një viti, por pretendimet e ndryshme financiare mbeten pengesa kryesore.
Viniciusi ka kërkuar që nga nisja e negociatave një pagë prej 30 milionë eurosh për sezon dhe zotërimin e 100 për qind të të drejtave të imazhit, kushte të ngjashme me ato që ka Kylian Mbappe.
Propozimi fillestar i Real Madridit përfshinte 22 milionë euro në sezon dhe 50 për qind të të drejtave të imazhit. Në ofertën më të fundit, klubi madrilen e ka rritur pagën në 23 milionë euro në vit, por nuk e ka ndryshuar përqindjen e të drejtave të imazhit.
Një tjetër pikë ku drejtuesit e klubit nuk kanë pranuar kërkesën e përfaqësuesve të Viniciusit lidhet me bonusin e nënshkrimit, të cilin Real Madridi nuk dëshiron t’ia paguajë lojtarit.
Pas takimit të fundit, drejtuesit madrilenë raportohet se i kanë kërkuar brazilianit të japë një përgjigje përfundimtare, ndërsa qëndrimin e tyre e kanë përmbledhur me mesazhin: “Askush nuk është më i madh se Real Madridi”.
Ndërkohë, Arsenali është përfshirë fuqishëm në garë dhe thuhet se është i gatshëm t’i sigurojë Viniciusit kushte financiare më të favorshme.
Klubi nga Londra raportohet se ka paraqitur një ofertë prej 25 milionë eurosh në sezon, së bashku me 100 për qind të të drejtave të imazhit, duke tejkaluar propozimin e Real Madridit.
Drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, sipas raportimeve, beson se transferimi mund të përfundojë gjatë kësaj vere.
Vendimi përfundimtar është tashmë në duart e Viniciusit, i cili duhet të përcaktojë nëse do ta vazhdojë karrierën në “Santiago Bernabeu” apo do të nisë një aventurë të re në Ligën Premier.
