Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, bëri të ditur se mbledhja e Grupit Parlamentar të kësaj partie është thirrur nga kryetari Lumir Abdixhiku për të raportuar dhe diskutuar mbi takimin e zhvilluar një ditë më parë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në këtë fazë LDK-ja nuk po merret me ndarjen e pozitave qeveritare. Gashi theksoi se vëmendja kryesore duhet të përqendrohet te programi, idetë dhe mënyra se si do të qeveriset Kosova.
Ai deklaroi se nuk ekzistojnë vija të kuqe për bashkëpunim me subjekte të tjera politike, por çdo hap do të përcaktohet nga përmbajtja e programit qeverisës.
“Na kanë thirrur për të na treguar se çfarë kanë diskutuar dje. Edhe në dy palë zgjedhjet e kaluara kam thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt tjetër. Megjithatë, duhet të shqyrtojmë programin, idetë, të ardhmen e Kosovës, mënyrën e qeverisjes së vendit dhe raportin e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Këto janë çështjet kryesore. Nuk ka rëndësi se cili individ do të ketë një funksion apo se kush çfarë po merr. E rëndësishme është të shohim nëse mund të hartojmë një program për bashkëqeverisje dhe, mbi bazën e tij, të përcaktojmë njerëzit që mund ta çojnë atë përpara”, tha Gashi.
I pyetur nëse do të pranonte ndonjë post në një qeveri të udhëhequr nga VV-ja, Gashi u shpreh se ende nuk ka ardhur koha për të diskutuar rreth pozitave.
Pas pyetjes së KosovaPress për deklaratën e bashkëpartiakes së tij, Hykmete Bajrami, se LDK-ja po kërkon postin e presidentit, ai u përgjigj: “Përshëndes zonjën Bajrami dhe i uroj sukses”.
Për sa i përket një kandidati të mundshëm të LDK-së për president, Gashi tha: “Ka boll”.
Deputeti i zgjedhur njoftoi gjithashtu se, deri në momentin kur hyri në mbledhje, nuk kishte marrë asnjë ftesë zyrtare për seancën konstitutive të Kuvendit, e cila mbahet të enjten në orën 10.
“Ende nuk ka ftesë. Besoj se seanca është nesër, por nga Kuvendi nuk kemi marrë njoftim zyrtar. Ndoshta ekziston ndonjë plan tjetër për shpërndarjen e ftesave, por unë nuk e di. Ftesë zyrtare nuk ka”, deklaroi ai.
