Lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë nuk ka prodhuar vetëm pasoja ushtarake, por ka sjellë edhe dukuri të reja me ndikim në shoqërinë ruse.
Të lidhura
None found
Mes tyre përmendet fenomeni i “vejushave të zeza”, gra që dyshohet se lidhin martesa me ushtarë rusë pak para dërgimit të tyre në front, me synimin për të marrë dëmshpërblimin shtetëror nëse ata humbin jetën.
Sipas legjislacionit rus, familjari ose përfituesi ligjor i një ushtari të vrarë në luftë mund të marrë 5 milionë rubla, shumë që korrespondon me rreth 64 mijë dollarë. Autoritetet dhe mediat shtetërore në Rusi pretendojnë se ky mekanizëm është përdorur nga persona që martohen me ushtarët vetëm pak ditë përpara nisjes së tyre drejt Ukrainës.
Akuzat kanë shkaktuar zemërim te familjet e ushtarëve, të cilat thonë se po mbeten jashtë përfitimeve financiare që, sipas tyre, u takojnë.
Një nga rastet e raportuara së fundmi lidhet me një infermiere të një spitali ushtarak. Ajo u largua nga puna pasi u akuzua se ishte martuar me pesë ushtarë të plagosur që ndodheshin nën kujdesin e saj dhe që më pas kishin ndërruar jetë, me qëllim përfitimin e kompensimeve.
Procedurat martesore për rekrutët që dërgoheshin në front u lehtësuan nga Kremlini pas fillimit të luftës në Ukrainë, në vitin 2022. Masa u paraqit si pjesë e politikave për mbështetjen e familjeve dhe promovimin e “vlerave tradicionale”, por raportimet sugjerojnë se ajo ka krijuar mundësi edhe për abuzime.
Çështja u rikthye në vëmendje gjatë vitit 2025, pasi një agjente imobiliare në Siberi u filmua teksa u këshillonte grave të martoheshin me ushtarë që po niseshin për luftë. Ajo argumentonte se kompensimi shtetëror mund t’u shërbente për të blerë një shtëpi. Pas reagimit publik, agjentja dhe prezantuesja e programit ku u bënë këto deklarata u dënuan me punë në komunitet dhe kërkuan falje publikisht.
Ndërkohë, gjykatat ruse kanë trajtuar disa konflikte mes familjeve të ushtarëve të vrarë dhe grave me të cilat ata ishin martuar pak para nisjes në front. Në disa prej këtyre rasteve, gjyqtarët kanë refuzuar njohjen e të drejtës për kompensim, pasi kanë evidentuar rrethana që ngrinin dyshime për abuzim.
Raportime të tjera përmbajnë akuza se, në raste të caktuara, edhe pjesëtarë të forcave të armatosura ruse kanë marrë pjesë në organizimin e martesave fiktive dhe në dërgimin e ushtarëve në misione me rrezik të lartë. Autoritetet ruse thuhet se kanë hapur hetime, por deri tani nuk është bërë i ditur ndonjë përditësim zyrtar mbi rezultatet e tyre.
