Në Tiranë ka filluar protesta e 63-të kundër qeverisë, me qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe shqiptarë nga diaspora që janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”.
Organizatorët kanë njoftuar një pjesëmarrje të gjerë të bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit. Diaspora e ka konsideruar praninë e saj në protestën e sotme si shenjë mbështetjeje dhe solidariteti për qytetarët në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, pjesëmarrësit pritet të drejtohen në marshim drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë. Në këtë zonë do të mbahen fjalime, si edhe do të përcillen qëndrimet e organizatorëve.
Tubimi zhvillohet pas më shumë se dy muajsh protesta të përditshme në Tiranë. Protestuesit kërkojnë ndryshime politike, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore, e cila do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në thirrjet e publikuara nga komunitetet e diasporës në rrjetet sociale, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë ftuar të marrin pjesë në protestë.
“Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara”, thuhet në apelin e tyre.
Organizatorët kanë kërkuar një pjesëmarrje sa më të madhe dhe paqësore, duke e vlerësuar këtë protestë si një prej mobilizimeve më të rëndësishme të lëvizjes. Sipas tyre, angazhimi i diasporës përbën një element kyç të tubimit.
