Shqipëria e vajzave u mposht minimalisht nga Uellsi në Shkodër, në përballjen e parë të fazës Play-Off të Kupës së Botës 2027. Pas ndeshjes, trajneri Armir Grima vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe u shpreh krenar për mënyrën se si luajtën vajzat.
Të lidhura
None found
“Nuk ndihem i zhgënjyer. Përkundrazi, duke parë atë që treguam ndaj Uellsit në Shkodër, jam krenar për ekipin. Këtë ndeshje e rendis ndër paraqitjet më të mira që kemi bërë. Ndoshta na mungon përvoja e duhur për nivele të tilla, por nuk besoj se lamë mangësi në këtë sfidë. Në disa momente ishim dukshëm më superiorë se Uellsi.
Për ndeshjen e kthimit e dimë shumë mirë se çfarë kundërshtari kemi përballë. Uellsi ka luajtur në kompeticione të rëndësishme të FIFA-s dhe UEFA-s, ndaj ne duhet të vazhdojmë të rritemi. Këto përballje duhet të na shërbejnë për të fituar më shumë përvojë.
Futbolli të jep mundësi dhe ne i patëm rastet tona. Nëse do të ishim treguar më të qetë dhe më të sigurt përpara portës, mund ta kishim ndryshuar rezultatin.
Më vjen keq vetëm për vajzat, sepse për atë që dhanë në fushë, rezultati minimal që meritonin ishte barazimi. Nuk e meritonim humbjen, por futbolli kështu është. Nuk ka kuptim të ndalemi te fati; duhet të kishim bërë më mirë detyrën tonë në finalizim.
Në Uells nuk kemi asgjë për të humbur dhe do të përpiqemi të japim më të mirën. Se cili do të jetë maksimumi ynë, këtë do ta shohim dhe do ta analizojmë pas ndeshjes së dytë.
Besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë dhe tifozët përjetuan emocione deri në fund. I falënderoj vajzat për atë që dhanë në fushë”, deklaroi trajneri Grima.






