Pas takimit të partive parlamentare me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
Të lidhura
None found
Sipas Çitakut, PDK-ja synon që institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejt, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve të mund të trajtohen në Kuvend.
“Qëndrimi politik i PDK-së është i qartë: ne do të jemi në opozitë. Megjithatë, duam që institucionet e Kosovës të konstituohen sa më parë, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve të Kosovës të adresohen”, u shpreh ajo.
Çitaku tha gjithashtu se mes PDK-së dhe LVV-së ekzistojnë dallime të mëdha, çka e kufizon mundësinë për bashkëpunim. Megjithatë, ajo theksoi se partia e saj do të japë kontribut nga opozita në procesin e konstituimit të institucioneve.
“Jemi vite larg me LVV-në dhe shohim pak hapësirë për bashkëpunim. Kjo nuk nënkupton se nuk mund të bashkëpunojmë për konstituimin e institucioneve dhe për interesat e qytetarëve të Kosovës, por jo për qeverisje. Ende nuk e dimë saktësisht kush do të jetë në opozitë dhe kush në pushtet, por PDK-ja do të jetë në opozitë”, shtoi ajo.
