Cert-AgID, qendra për reagimin ndaj emergjencave kompjuterike në varësi të Agjencisë për Italinë Dixhitale, ka identifikuar për herë të parë në Itali një fushatë të re mashtruese online të kategorisë “sextortion”.
Të lidhura
None found
Përmes email-eve, autorët e skemës i bindin marrësit se pajisjet e tyre janë hakuar dhe se janë siguruar materiale që mund t’i komprometojnë. Mashtruesit prezantohen si anëtarë të ShinyHunters, grup i njohur i krimit kibernetik, por ky i fundit ka mohuar se ka lidhje me operacionin.
Në përmbajtjen e mesazheve pretendohet se pajisjet janë infektuar me programe keqdashëse, të cilat u kanë mundësuar hakerëve të marrin informacione personale, historikun e shfletimit në internet dhe pamje të regjistruara nga kamera.
Sipas email-eve mashtruese, viktima ka vizituar faqe për të rritur dhe ka parë materiale eksplicite. Për heqjen e pretenduar të virusit nga pajisja, kërkohet pagesa e 2 mijë dollarëve në bitcoin.
Ekspertët shpjegojnë se kjo metodë synon të krijojë frikë dhe trysni psikologjike te përdoruesit, në mënyrë që ata të paguajnë për të parandaluar publikimin e supozuar të materialeve të tyre private.
ShinyHunters, i njohur që nga viti 2019 për vjedhje të të dhënave dhe sulme kibernetike kundër kompanive, ka hedhur poshtë çdo përfshirje. Grupi ka argumentuar se mënyra e veprimit dhe synimet financiare të kësaj skeme ndryshojnë nga aktivitetet e tij të mëparshme.
Qytetarëve u është kërkuar nga Cert-AgID që të mos u përgjigjen mesazheve të tilla, të mos vendosin kontakt me adresën nga e cila janë dërguar dhe të mos transferojnë para.
Autoritetet italiane këshillojnë përdoruesit ta shpërfillin ose ta fshijnë email-in, të mos hapin komunikim me dërguesin dhe të mos kryejnë asnjë pagesë.
