Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes së vendit, qëndroi në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po kryejnë gërmime për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të lidhura
None found
Gjatë vizitës, Haxhiu bëri të ditur se institucionet përgjegjëse ndodhen në terren dhe po punojnë për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur.
Ajo tha se, së bashku me nënkryetaren, ministren Bogujevci, kishte ardhur në Kalludër për të parë nga afër angazhimin e ekipeve që po kërkojnë të vërtetën për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Haxhiu falënderoi institucionet e Republikës së Kosovës të përfshira në këtë proces, duke përmendur veçmas Policinë, Prokurorinë, Komisionin për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe IML-në, si dhe të gjitha institucionet e tjera që po angazhohen maksimalisht për zbardhjen e së vërtetës.
Sipas saj, deri tani është vërtetuar se mbetjet e gjetura kanë prejardhje njerëzore, ndërsa për ekzaminimin dhe identifikimin e tyre duhet pritur përfundimi i punës nga institucionet kompetente.
Njëkohësisht, Haxhiu kërkoi që të mbrohet integriteti i hetimeve. Ajo theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës, mediat dhe secili i përfshirë duhet të tregojnë kujdes, pasi bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme. Sipas saj, duhet të tregohet gjithashtu konsideratë ndaj familjeve që presin të mësojnë se çfarë po ndodh në këtë lokacion.
Ushtruesja e detyrës së presidentes deklaroi se fati i personave të zhdukur me dhunë vazhdon të jetë plaga më e madhe me të cilën përballet vendi, edhe pse kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga periudha e luftës.
Haxhiu shtoi se pasojat e luftës vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot. Ajo tha se, ndërkohë që në Kalludër po bëhen përpjekje maksimale për të zbuluar se ku ndodhen personat e zhdukur me dhunë, vazhdojnë gjuha e urrejtjes, retorika shoviniste, mohimi i krimeve dhe pretendimet territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi.
